Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, gjatë qëndrimit të tij në Republikën e Çekisë, ku po merr pjesë në Ministerialin e Katërt të Procesit të Pragës, ka takuar homologun e tij çek, njëherësh zëvendëskryeministrin e parë të këtij shteti, Vit Rakusan.
Me këtë rast Sveçla e ka falënderuar për mbështetjen e vazhdueshme ndaj Kosovës, sidomos për mbështetjen konkrete të presidencës çeke, për të shtyrë përpara procesin e liberalizimit të vizave për Republikën e Kosovës.
Sveçla e ka njoftuar homologun e tij me prioritetet dhe rezultatet e arritura në fushën e luftimit të krimit e korrupsionit, migrimit të paligjshëm dhe kontrabandës në përgjithësi, si dhe angazhimin e qeverisë së Kosovës për të shtyrë përpara proceset e integrimit evropian.
Rakusan përgëzoi institucionet e Kosovës për rezultatet e dukshme të arritura kohën e fundit në luftën kundër krimit dhe korrupsionit dhe konfirmoi përkrahjen e pa rezervë të qeverisë së Republikës Çeke në proceset integruese, përfshirë edhe procesin e liberalizimit të vizave.
Të dy bashkëbiseduesit u dakorduam që dy vendet kanë potencial shumë të madh për të rritur bashkëpunimin në shumë fusha, me theks tek bashkëpunimi policor, shkëmbimi i informacioneve dhe fushave tjera me interes të përbashkët për të kontribuuar së bashku për sigurinë në rajon dhe më gjerë.