Kryeministri në detyrë i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, do ta vizitojë për tri ditë me radhë Kosovën.
Gjatë qëndrimit në shtetin e Kosovës, kryeministri Abazoviq do të zhvillojë takime me liderë të institucioneve shtetërore, kryeministrin e Republikës së Kosovës, Albin Kurti, presidenten e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu dhe me zyrtarë të tjerë shtetëror, njofton Ambasada e Malit të Zi në Republikën e Kosovës.
Sipas njoftimit në takimin ndërmjet dy kryeministrave, Abazoviq dhe Kurti do të nënshkruhet marrëveshja bilaterale për korridorin e qiellit të hapur, me të cilin parashihet lejimi i shfrytëzimit të hapësirës ajrore të Malit të Zi nga aeroplanët që fluturojnë nga Aeroporti i Prishtinës.
Kryeministri i Malit të Zi, gjithashtu do të takohet edhe me kryetarin e komunës së Prishtinës, Përparim Rama, nga i cili do të pranojë Çelësin e Prishtinës.
Ndërsa në Aleancën Kosovare të Bizneseve, kryeministri Abazoviq do të nënshkruaj memorandum bashkëpunimi me drejtuesin e kësaj organizate, Agim Shahini, e me ç’rast Abazoviqit do t’i ndahet një mirënjohje për nxitjen e investimeve kosovare në Mal të Zi.
Gjatë qëndrimit të tij në Kosovë, kryeministri Abazoviq do ta vizitojë edhe kolegjin “Universum”, ku do të promovohet libri i tij “Kritika e Etikës Globale”, ku një ceremoni të ndarë, drejtuesit e kolegjit do t’i ndajnë Abazoviq doktoratë nderi.
Në kuadër të ditës së parë të vizitës në Republikën e Kosovës, Abazoviq do të zhvillojë takime me drejtues të partive politike parlamentare. Ai do të takohet me kryetarin e PDK-së, Memli Krasniqi, me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku.
Kryeministri i Malit të Zi do të takoj poashtu dy ish-presidentët e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga dhe Behgjet Pacolli.
Gjatë ditës së dytë të vizitës në Kosovë, kryeministri Abazoviq do të takojë zëvendëskryeministren e Republikës së Kosovës Emilija Rexhepi, grupin multietnik në Kuvendin e Republikës së Kosovës, dhe ministrat nga komunitetet jo shumicë.
Abazoviq do të takohet edhe me Gjeneralin e KFOR-in Michelle Rastuccia dhe do vizitojë galerinë Kombëtare të Kosovës i shoqëruar nga Ministri i Kultures, Sportit dhe Rinisë, Hajrulla Çeku, dhe drejtoreshën e Galerisë Kombëtare, Alisa Gojani.
Kryeministri Abazoviq dëshiron të theksoj rolin e Maestros Gjelosh Gjokaj dhe kompozitorit Regjo Mulliqi në raportet ndërkulturore mes dy vendeve.
Po ashtu Abazoviq gjatë vizitës së punës në Kosovë do ta vizitoj Pejën, ku do të takohet me kryetarin e komunës, Gazmend Muhaxheri dhe do ta shoh nga afër zbatimin e projekti të IPA-s, i cili po realizohet ndërmjet Malit të Zi dhe Republikës së Kosovës.
Tutje Abazoviq do të vizitoj Rezidencën Historike të dr. Ibrahim Rugovës dhe do bëj homazh te varri i tij në Prishtinë, si dhe do bëj homazhe te varri i profesorit universitar dhe poetit nga Ulqini Basri Çapriqit.
Abazoviq gjatë qëndrimit të tij do vizitoj objekte fetare e kulturore, përfshi Xhaminë e Çarshisë, Katedralen Nënë Tereza dhe Patriarkanën e Pejës i shoqëruar nga kryetari i komunës së Pejës Gazmend Muhaxhiri.
Pjesë e agjendës së Abazoviq janë edhe takimet me konsullin e nderit të Malit të Zi në Kosovë, Gazmend Abrashi, pronar i “Exclusive Group”, dhe me konsullin e nderit të Republikës së Kosovës në Mal të Zi, Shkëlqim Devolli, pronar i fabrikës “Prince Caffe”, përfundon komunikata e Ambasadës me zbardhjen e agjendës sh vizitës të kryeministrit të Malit të Zi.