- Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Serbi, Christopher Hill, teksa ka folur për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, për normalizimin e marrëdhënieve, ka thënë se është ende herët për të vlerësuar rezultatin e takimit të 27 shkurtit në Bruksel midis dy liderëve të dy shteteve.
Pas takimit të fundit mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandër Vuçiq, ambasadori Hill ka thënë se duhet pritur bisedime të reja, shkruan “Beta”.
“Mendoj se po ecim në drejtimin e duhur, por duhet të presim dhe të shohim sepse ende askush nuk ka rënë dakord për asgjë”, ka thënë Hill.
“Nuk do të doja të flisja për gjëra konkrete dhe afate, mendoj se është e rëndësishme që çështjet të zgjidhen, që pas 10 vitesh më në fund po formohet Asociacioni i komunave me shumicë serbe dhe se shumë e shohin këtë si një test nëse bashkësia ndërkombëtare është seriozisht e interesuar për zgjidhjen e kësaj çështjeje dhe mund të them se po. Na duhet vetëm durim”, shtoi ai.
Hill gjithashtu tha se Serbia do të duhet të marrë një vendim për vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë sepse, siç vlerësoi ai, po paguan një çmim të lartë për mosvendosjen e tyre.
“Duhet ta dimë se Rusia sulmoi brutalisht fqinjin e saj, shumë vende të vogla evropiane vendosën sanksione, megjithëse ishte e vështirë për ta, por e bënë sepse ishte e drejtë. Besoj gjithashtu se Serbia do ta kuptojë këtë, nuk është kurrë vonë për bëj gjënë e duhur”, theksoi Hill.
Zyra e Kryeministrit ka dhënë detaje për takimin e 27 shkurtit në Bruksel në mes të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi.
Në njoftimin e ZKM-së, thuhet se pas takimit bilateral me përfaqësuesin e lartë, Borrell, dhe emisarin e BE-së Miroslav Lajçak, u zhvillua takimi trilateral pas të cilit Kosova është treguar e gatshme të nënshkruajë “Marrëveshjen Bazë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, por është refuzuar nga Serbia.
Po ashtu, thuhet është arritur dakordimi që teksti i propozimit të BE-së, mbështetur nga Gjermania, Franca, Italia dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të mos ndryshojë.
Tutje thuhet se, edhe pse Serbia nuk është treguar e gatshme ta nënshkruajë propozimin, palët do të nisin bisedimet për planin e zbatimit.