Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu ka reaguar edhe një herë për postimin e vitit 2016 të ministrit të Financave dhe Transfereve, Hekuran Murati, i cili u bë viral dje në rrjete sociale ku Murati thoshte se Kosova do të ishte më mirë të kishte mercenarë të paguar në luftë, se sa veteranët të cilët sipas tij po i kushtojnë më shumë se Ushtria buxhetit të vendit.
Në postimin e saj në Facebook, Deliu ka bërë të ditur se për shkak të mesazheve të shumta që ka pranuar për deklaratat e ministrit Murati dhe në pamundësi për të marrë fjalën në seancën e Kuvendit të Kosovës, reagimin e saj e ka publikuar në profilin e saj.
Ajo ka thënë se është e tmerruar nga përmbajtja e deklaratave të shprehura në vitin 2016 nga ministri Hekuran Murati.
“Deklaratat e z.Murati janë fyerje për të gjithë ata qytetarë që kanë dhënë jetën e tyre për lirinë e Kosovës. Këto deklarata janë fyerje edhe për të gjitha familjen kosovare që sot u mungojnë më të dashurit e tyre të rënë për lirinë e Kosovës. Me pak fjalë, përmes deklaratës së tij z.Murati po iu thotë familjeve kosovare se ne do të mund ta binim lirinë duke paguar mercenarët dhe askush nuk do të vdiste. Përveç që kjo qasje sjell dhembje te familjet kosovare që kanë dhënë gjithçka për lirinë e Kosovës, e të cilave u mungojnë më të dashurit e tyre, është një qasje që tregon se kjo Qeveri nuk e respekton historinë e shtetit të Kosovës”, ka deklaruar Deliu.
Postimi i plotë:
Sot, nuk arrita që ta marrë fjalën në pikën e deklarimeve jashtë rendit të ditës, për të shprehur indinjatën time dhe të shumë qytetarëve të Kosovës, të cilët që nga mbrëmë më kanë dërguar mesazhe të shumta, ku shprehen të shqetësuar nga raportimet në media të deklaratave të ministrit, Hekuran Murati.
Në pamundësi që ta lexoj fjalën time për shkak se kjo pikë e rendit të ditës është e kufizuar në vetëm 30 minuta, atëherë po e postoj këtu fjalën time të planifikuar:
Të nderuar qytetarë të Republikës së Kosovës!
Jam e tmerruar nga përmbajtja e deklaratave të shprehura vitin 2016 të z. Hekuran Murati, i cili sot është Ministër në Qeverinë e Kosovës.
Deklaratat e z. Murati, janë fyerje për të gjithë ata qytetarë që kanë dhënë jetën e tyre për lirinë e Kosovës.
Këto deklarata janë fyerje edhe për të gjitha familjet kosovare që sot u mungojnë më të dashurit e tyre të rënë për lirinë e Kosovës.
Me pak fjalë, përmes deklaratës së tij z. Murati po iu thotë familjeve kosovare se ne do të mund ta blinim lirinë duke paguar mercenarët dhe askush nuk do të vdiste.
Përveç që kjo qasje sjellë dhembje te familjet kosovare që kanë dhënë gjithçka për lirinë e Kosovë, e të cilave u mungojnë më të dashurit e tyre, është një qasje që tregon se kjo Qeveri nuk e respekton historinë e shtetit të Kosovës.
A e keni parë ndonjë vend në botë që e fiton lirinë e tij përmes mercenarëve?
Nuk e keni parë dhe nuk do ta shihni. Njerëzit që ngriten për të luftuar për lirinë e vendit të tyre nuk e bëjnë këtë për para dhe për asnjë çmim. Këta njerëz janë në gjendje që ta japin jetën e tyre për këtë tokë. Ju e dini se me mijëra prej tyre janë flijuar në një betejë aspak të barabartë.
Sot, Kryeministri Kurti mund të thotë se nuk ka ndonjë problem sepse këto qëndrime i ka shprehur z. Murati kur nuk ka pasur asnjë post, pra nuk ka qenë Ministër.
Ky arsyetim i mundshëm është i gabueshëm, sepse askush nuk mund t’i ikë përgjegjësive dhe asaj që njeriu e ndërton gjatë jetës së tij. Prandaj, z. Kryeministër, sot ju duhet të përgjigjeni para qytetarëve të Republikës së Kosovës:
– Si u bë që gati të gjithë njerëzit që kanë shkruar e folur kundër UÇK-së i gjejmë në kabinetin tuaj? Ky nuk është rasti i vetëm dhe ju i mbani mend edhe deklaratat skandaloze të Ministres së Jashtme, znj. Shwarz.
– Si u bë që i shpërbleve me poste qeveritare këta njerëz që përmes deklaratave të tyre, përgjatë viteve, i kanë shërbyer ndërtimit të shpifjeve kundër Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës?
- Kurti dhe ju z. Murati, duhet ta dini që liria e një vendi nuk blihet me para. E di që ju nuk do ta kuptoni kurrë këtë gjë.