Më 11 janar 2025 partitë politike kanë nisur fushatat e tyre për zgjedhjet e 9 shkurtit të këtij viti. Gjatë prezantimit të premtimeve e programit të tyre ato nuk kanë kursyer as gjuhën e ashpër karshi njëra-tjetrës.
Ofendimet, akuzat e gjuha nxitëse ka bërë që të reagoj me gjoba nga më të ndryshmet Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa(PZAP).
PZAP ditë më parë njoftoi se janë gjobitur tri parti të mëdha politike kjo për shkak të “shkeljes së kodit të mirësjelljes” gjatë fushatës zgjedhore.
Më 20 mijë euro u dënua LDK-ja, me 12 mijë euro AAK dhe me tre mijë euro LVV-ja. Kjo gjobë nuk i mjaftoi partisë në pushtet që të ndalë “shkeljen e kodit të mirësjelljes” pasi u pasua edhe me një dënim tjetër me vlerë të 3 mijë e 500 eurove për përdorim të gjuhës së urrejtjes nga kryetari i VV dhe kryeministri aktual, Albin Kurti.
Pas këtyre gjobave, PZAP të hënën i publikoi edhe vendimet më të reja.
PDK u dënua me 4 mijë euro për shkak të një videoje të publikuar nga kandidatja për deputete e këtij subjekti që e ka realizuar në Kuvend në kundërshtim me Ligjin për Zgjedhje. Njëjtë u dënua edhe një kandidat tjetër i PDK-së, pasi ka realizuar video brenda hapësirave të Odës së Mjekëve.
Me 3 mijë e 500 euro u dënua sërish LDK-ja, derisa dënim tjetër mori edhe koalicioni AAK-NISMA, ku njëri kandidat mori 3 mijë e 500 euro gjobë.
Në një përgjigje për “Front Online”, PZAP ka theksuar se totali i gjobave të shqiptuara ndaj subjekteve politike me vendimet e PZAP-it, deri më tani është 125,000.00 euro.
Violeta Haxholli nga Instituti Demokratik i Kosovës ka kritikuar përdorimin e gjuhës nxitëse dhe të urrejtjes nga partitë politike gjatë fushatës zgjedhore.
Ajo tha se kjo gjuhë, e cila është përdorur edhe në zgjedhjet e kaluara, mund të dëmtojë atmosferën e procesit zgjedhor dhe të nxisë konflikte mes përkrahësve të subjekteve politike.
“Si Demokraci në Veprim (DNV) kemi kritikuar dhe po vazhdojmë të kritikojmë gjuhen nxitëse dhe të urrejtjes që po përdoret në aktivitetet e partive politike garuese edhe në këto në zgjedhje, ashtu si edhe në zgjedhjet e kaluara. Subjektet politike duhet të përmbahen nga përdorimi i gjuhës së tillë, pasi mund të dëmtojnë atmosferën e fushatës zgjedhore dhe procesin zgjedhor në përgjithësi. Kjo sepse gjuha dhe sjelljet e subjekteve politike dhe kandidatëve mund të reflektohen edhe te përkrahësit e tyre dhe të nxisë konflikte në terren”.
Haxholli raportoi se gjatë javës së kaluar, në 25 aktivitete të monitoruara janë vërejtur raste të përdorimit të gjuhës nxitëse, me një intensifikim të tillë veçanërisht nga partia në pushtet.