Prokuroria Speciale Kosovës, ka ngritur aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Departamentin Special, kundër të pandehurit V.N, për shkak të dyshimit të bazuar mirë se në bashkëkryerje ka kryer veprën penale “Krim i luftës kundër popullsisë civile”, e sanksionuar me nenin 142 lidhur me nenin 22 të Ligjit Penal të RSFJ-së.
“Sipas aktakuzës, veprimet penale janë kryer gjatë periudhës 1998-1999 në qytetin e Suharekës. I pandehuri, duke vepruar në bashkëkryerje me pjesëtarë të tjerë të forcave policore dhe ushtarake serbe, ka shkelur rregullat e së drejtës ndërkombëtare, duke kryer vrasjen e dy viktimave M.A dhe SH.A, si dhe plagosjen e të dëmtuarit SH.S”, thuhet në njoftim.