Zhvillimet e fundit në veri të vendit, kanë bërë që sot të mblidhen në një takim krerët e shtetit.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, kryeministri , Albin Kurti, zëvendëskryeministrja dhe ministrja e MPJD-së , Donika Gërvalla, si dhe ministri i MPB-së, Xhelal Sveçla kanë realizuar takim më qëllim të vazhdimit të koordinimit ndërinstitucional në lidhje me zhvillimet e fundit në vend.
“Në takim ishin të ftuar edhe liderët e opozitës të cilët nuk kanë marrë pjesë. Megjithatë, institucionet e vendit do të vazhdojnë kontaktet e rregullta dhe konsultimet me opozitën, me qëllim të koordinimit mbi çështje të interesit nacional”, thuhet në njoftimin për media.
Sipas njoftimit thuhet se do të vazhdohet koordinimi i plotë dhe komunikimi i rregullt me aleatët strategjik.
Ndryshe Telegrafi merr vesh se ka nisur tërheqja e automjeteve që ishin vendosur si barrikada në rrugët në veri të Kosovës.
Qeveria e Kosovës kishte paralajmëruar se që nga 1 gushti, do të niste zbatimi i reciprocitetit me Serbinë për targat dhe letërnjoftimet.
Mirëpo një ditë para se ky vendim të hynte në fuqi, serbët lokalë në veri të vendit filluan kundërshtimet e tyre duke vendosur barrikada në rrugët që çojnë në dy pikë kalimet kufitare me Serbinë – Jarinje dhe Bërnjak.
Përveç barrikadave në veri pati edhe të shtëna me armë zjarri të cilat u konfirmuan edhe nga Policia e Kosovës, e disa qytetarë edhe u maltretuan në kufi.