Ambasadori William Walker është nderuar me titullin “Doctor Honoris Causa” nga Universiteti “Haxhi Zeka” në Pejë.
Pjesë e kësaj ceremonie ishte edhe kryeministri i vendit, Albin Kurti.
Kurti tha se Walker do të jetë gjithmonë mik i Kosovës dhe kontributi i tij për popullin tonë do të jetë gjithmonë i patjetërsueshëm, shkruan Reporteri.net
“Sot jemi mbledhur këtu që ambasadorit Walker t’ia ndajmë këtë vlerësim të lartë. Në fakt të gjithë ne që jemi sot këtu jemi të nderuar pa masë me praninë e tij në qytetin e bukur të Pejës. Kjo fotografi e ambasadorit Walker që është këtu prapa meje është fotografi shumë e shumë vjet e vjetër, por që njëkohësisht dëshmon se sa i ri vazhdon të jetë ambasadori. Në kohëra të vështira historike, njësoj siç në periudha krizash personale, një mik i mirë mund të jetë shpëtimi i nevojshëm, madje edhe atëherë kur nuk e keni një mik të mirë, janë pikërisht kohërat e vështira që mund ta sjellin një të tillë. Në botën e traditave shqiptare miku i shtëpisë është një figurë tejet e respektuar që nderohet deri në paprekshmëri. Walker është vërtetë një mik i Kosovës. Dua të them që Walker është edhe miku im që nga koha e luftës kur jemi takuar për herë të parë, e deri më sot kur po ritakohemi sërish”, tha Kurti ndër të tjera.