Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), ka mbajtur konferencë për medie, në të cilën janë shpalosur rezultatet e hulumtimit të opinionit publik të realizuar gjatë periudhës 10 deri me 18 shtator të këtij viti, që reflekton këndvështrimet e qytetarëve të Kosovës mbi reformën në sistemin e drejtësisë, raporton Ekonomia Online.
Gjatë prezantimit të të dhënave hulumtuesi i KDI-së Arbër Thaçi, theksoi se në sondazhin prej 6 pyetjeve kanë marrë pjesë 1 065 respodentë të moshës mbi 18 vjeç nga i gjithë territori i Kosovës.
Me këtë sondazh është synuar të nxirren perceptimet dhe disponimi i qytetarëve për nevojën e reformës në sistemin e drejtësisë, besueshmërinë e qytetarëve në organet e drejtësisë, çështjen e Vetingut dhe Byronë Shtetërore për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë, si dy procese që janë në qendër të reformës në drejtësi.
Në pyetjen e parë drejtuar qytetarëve, lidhur me atë se sa i besojnë ata sistemit të drejtësisë në Kosovë, ku vlera 1 është aspak dhe 5 plotësisht, mesatarja e besueshmërisë ka rezultuar të jetë 3.14.
Në pyetjen e radhës drejtuar qytetarëve se çfarë do të thotë për ata reforma e thellë në drejtësi, për 52.6% dhe 47.9% të qytetarëve reforma fokusohet kryesisht në rritje të kualitetit të gjykatave, respektivisht për qytetarët reforma përfaqëson gjyqtarë profesional dhe gjykata të pavarura.
Ndërsa, për 40.7% të qytetarëve të anketuar reforma në drejtësi do të thotë luftë më efikase kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Në anën tjetër, 39.4% dhe 36.4% e qytetarëve e shohin reformën në drejtësi në zgjidhjen më efikase të rasteve gjyqësore dhe qasje më të lehtë në sistemin e drejtësisë.
Në pyetjen pasuese qytetarët janë pyetur se a mendojnë që sistemi i drejtësisë mund të reformohet. Lidhur me këtë, një përqindje shumë e lartë e qytetarëve prej 70.8% janë të mendimit se reforma në drejtësi është e mundur, për dallim nga 19.3% që mendojnë se sistemi i drejtësisë nuk mund të reformohet.
Kur janë pyetur për çështje konkrete të reformës në drejtësi si çështja e vetingut, Thaçi theksoi se kjo pyetje ka pasur për qëllim të nxjerr në pah se sa e kuptojnë qytetarët çështjen e vetingut në drejtësi.
Nga rezultatet e sondazhit del se procesi i vetingut për përqindjen më të lartë të qytetarëve, konkretisht mbi gjysmën e tyre prej 53.2% dhe 50% nënkupton vlerësimin e integritetit të gjyqtarëve dhe prokurorëve, respektivisht vlerësimin e prejardhjes së pasurisë së gjyqtarëve dhe prokurorëve.
Në anën tjetër, për një shumicë të konsideruar të qytetarëve (49.7%), procesi i vetingut nënkupton vlerësim të aftësive profesionale të gjyqtarëve dhe prokurorëve.Kur janë pyetur se sa e përkrahin ata vetingun në sistemin e drejtësisë, shumica e qytetarëve, konkretisht 73.7% e tyre janë deklaruar në mbështetje të këtij procesi, për dallim të 13.1% të qytetarëve që nuk janë dakord që ky proces të ndodhë.
Në pyetjen e fundit pjesë të këtij sondazhi, qytetarët janë pyetur edhe për çështjen e Byrosë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së pajustifikueshme, që është po ashtu pjesë e reformës në sistemin e drejtësisë.
Konkretisht për këtë çështje qytetarët janë pyetur se a e përkrahin idenë e krijimit të një organi të tillë.
Lidhur me këtë, 76.6% e të anketuarve kanë shprehur mbështetje për krijimin e Byrosë Shtetërore, me 11.8% e tyre që nuk e mbështesin një gjë të tillë.