Kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, javën e ardhshme do të vizitojë Kosovën. Burime të KosovaPress bëjnë të ditur se ajo do të qëndrojë në Prishtinë me datë 27 tetor.
Megjithatë, Von der Leyen do të ketë një vizitë edhe në Serbi dhe vendet e tjera të rajonit. Në Beograd ajo ka planifikuar të qëndrojë me datë 29 tetor.
Kjo vizitë vjen pas asaj të emisarit të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, si dhe të dërguarit të posaçëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për rajonin tonë, Gabriel Escobar.
Kjo vizitë vjen pak ditë para skadimit të afatit për regjistrimin e veturave me targa të Republikës së Kosovës të qytetarëve serbë të cilët i kanë të regjistruara me targa ilegale të Serbisë.
Gjithashtu, me datë 28 tetor, kryetarja e Komisionit Evropian do të vizitojë Bosnje Hercegovinën si dhe Malin e Zi.
Agjenda e saktë e vizitës së Von der Leyen pritet të bëhet e ditur gjatë ditëve në vazhdim.
Herën e fundit, kryetarja e Komisionit Evropian ishte në Kosovë më 29 shtator të vitit të kaluar.