Analisti politik Jusuf Thaçi ka reaguar pas arritjes së marrëveshjes së sotme të Qeverisë së Kosovës me atë të Serbisë për energjinë.
Thaçi përmes një shkrimi në rrjetin social Facebook tha se nëse marrëveshjet për energjinë të vitit 2013 dhe 2015 janë të mira atëherë, sipas tij, meritat I takojnë qeverive të Thaçit e Mustafës.
Ndërsa, sipas tij, nëse këto marrëveshje janë të dëmshme për Kosovën dhe arrihen të realizohen në Qeverinë Kurti, atëherë e bartin të tri qeveritë e sipër-përmendura.
Postimi i tij i plotë:
Nëse marrëveshjet e Kosovës me Serbinë për energjinë (të vitit 2013 dhe 2015) janë të mira e të dobishme për Kosovën, atëherë meritat për këto marrëveshje i takojnë Qeverisë Thaçi dhe Qeverisë Mustafa.
Nëse zbatimi i këtyre marrëveshjeve arrin të realizohet vetëm tash e tutje (pas marrëveshjes së sotme për zbatimin e atyre marrëveshjeve), atëherë meritat për zbatimin e këtyre marrëveshjeve i takojnë Qeverisë Kurti.
Nëse këto marrëveshje janë të dëmshme për Kosovën, atëherë fajin dhe përgjegjësinë për këto marrëveshje dhe për zbatimin e tyre e bartin të tri qeveritë e sipër-përmendura.
Veçse, edhe nëse e marrim si të mirëqenë faktin se këto marrëveshje kanë qenë një fakt i kryer për Qeverinë Kurti, meqë LVV i ka kritikuar këto marrëveshje në të kaluarën, atëherë Qeveria Kurti duhet të jetë korrekte me pararendëset e saj, siç e pamë sot korrektësinë e partive opozitare parlamentare (PDK, LDK dhe AAK që kanë qeverisur më herët) në lidhje me marrëveshjen e sotme.