“Në këtë natë të madhe, në vigjilje të fillimit të këtij muaji të madh, lusim Zotin që sa më parë të ndalen luftërat e konfliktet dhe popujt të jetojnë të qetë dhe në paqe e harmoni” kështu ka thënë Myftiu Tërnava në prag të Muajit të Ramazanit
Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava, u ka uruar besimtarëve myslimanë agjërim të lehtë në prag të nisjes së Muajit të Ramazanit, teksa ka bërë thirrje për paqe në botë.
Myftiu Tërnava ka thënë se agjërimi e afron besimtarin me krijuesin, e largon nga “egoja, urrejtja e smira” dhe e “motivon për punë e vepra të mira”.
“Në këtë natë të madhe, në vigjilje të fillimit të këtij muaji të madh, lusim Zotin që sa më parë të ndalen luftërat e konfliktet dhe popujt të jetojnë të qetë dhe në paqe e harmoni. Misioni i njeriut në botë nuk është që të krijojë trazira, gjakderdhje, vuajtje e shkatërrime, por të jetojë me dinjitet ashtu siç na ka udhëzuar krijuesi i gjithësisë”, ka thënë Tërnava.
Myftiu i Kosovës tha se përmes agjërimit gjatë muajit të Ramazanit, besimtarët shfaqin bindjen, dashurinë dhe sinqeritetin ndaj Zotit.
Muaji i Ramazanit nis më 23 mars dhe do të zgjasë për 30 ditë deri më 20 prill.