Dramatazim të çështjes së targave për qëllim të përgatitjes së opinionit për kompromise.
Kështu i ka karakterizuar qëndrimet e Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, ish-Kryenegociatorja në dialogun Kosovë-Serbi, Edita Tahiri, raporton gazeta online Reporteri.net.
Se tashmë Kurti ka bërë kompromise, Tahiri e merr për fakt të kryer. Kjo, siç thotë ajo, është kur ai pranoi një kornizë dialogimi në bazë të planit franko-gjerman e cila s’përmban në vete njohje të ndërsjellë.
“Kurti po dramatizon çështjen e targave për të përgatitur opinionin për kompromise. Tashmë të parin e bëri duke pranuar mungesën e njohjes reciproke në planin franko-gjerman”, ka shkruar Tahiri në profilin e saj në Facebook, transmeton Reporteri.net.
Edhe para mëse dy jave, Tahiri kishte qenë kritike ndaj planit franko-gjerman, e cila nuk përmbante njohjen. “Kurti nga Parisi marrëveshje finale pa njohje me Serbinë mund t’ia sjellë Lëvizjes Vetëvendosje, por assesi Kosovës”, kishte shkruar ajo.
Në takimin trilateral të djeshëm në Bruksel nuk pati marrëveshje për targat, takim ky që prodhoi edhe një tensionim në diskursin BE-Kosovë.
Përfaqësuesi i Lartë i BE’së për Politikë të Jashtme peshën e fajin e rëndoi mbi Kosovën, derisa Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e quajti “gabim që duhet korrigjuar”, siç tha ai, heqjen dorë nga Borell nga marrëveshje e përgjithshme për normalizim të marrëdhënieve Kosovë-Serbi, dhe reduktim të “urgjencës së takimit” në çështje të targave, shkruan Reporteri.net.
Kurti dje pas mesnate, me kërkesë të ambasadorit amerikan Jeff Hovenier, u pajtua të shtyejë zbatimin e fazës së gjobitjes për vozitësit me targa “KM, etj” për edhe 48 orë të tjera, përkatësisht deri mëngjesin e së enjtes./