Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri, i ka reaguar kryeministrit Albin Kurti, i cili në seancën e sotme të Kuvendit ritheksoi qëndrimin e Qeverisë kundër tërheqjes së mjeteve nga Trusti.
Në replikën e tij, Tahiri e quajti Kurtin mjeshtër të manipulimit të opinionit publik.
Shefi i deputetëve të AAK-së po ashtu i kërkoi kreut të ekzekutivit që të qetësohet, pasi siç tha, po sjell tension dhe nervozizëm në Kuvend për shkak të problemeve që i ka në qeverisjen e vendit.
“Kryeministër, fillimisht qetësohu. Sepse po na e sjell tensionin dhe nervozizmin në Kuvend për shkak të problemeve që i ke në qeverisje. Dhe, e kem që ju jeni mjeshtër i manipulimit të opinionit publik me inteligjencën tuaj”, deklaroi Tahiri para deputetëve.
Ai po ashtu e kritikoi Kurtin për gjuhën e përdorur ndaj deputetit të Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiut, duke thënë se “Deputeti është i zgjedhuri i popullit dhe ju si i zgjedhur i popullit duhet të ketë respekt për të”.