16 vite pas vrasjes së Arben Xheladinit e Mon Balajt në protestën e dhunshme të 10 shkurtit të 2007-ës, viktimat i ka kujtuar aktivisti i kahmotshëm i VV-së, tani ministër, Xhelal Sveçla.
Në një postim në Facebook, Sveçla ka thënë se drejtësia s’ka ardhur sot e asaj dite.
Ai thotë se Mon Balaj e Arben Xheladini janë dëshmorë për liri e vetëvendosje.
Postimi i plotë:
Në ditën e shtunë të 10 shkurtit të vitit 2007, u tubuam paqësisht e masivisht në Sheshin “Skenderbeu” në Prishtinë për të shprehur kundërshtimin tonë ndaj padrejtësive që po i vinin Kosovës nga pakoja e Ahtisaarit.
Protestës i printe e masës ju drejtua atë ditë edhe veprimtari i pashoq i çështjes kombëtare shqiptare Adem Demaçi, ndërsa përreth tij ishin mijëra qytetarë e aktivistë, djem e vajza të ndershëm, të guximshëm e me vetëdije të lartë mbi rrezikun që i kanosej vendit tonë nga decentralizimi etnik.
232 plumba gome me afat të skaduar u shkrepën drejt nesh, drejt djemve e vajzave, burrave, grave e të moshuarve. Nga ata plumba u vranë Mon Balaj e Arben Xheladini, mbetën të plagosur rëndë Hysni Hyseni, Zenel Zeneli e Mustafë Nerjova si dhe mbi 80 protestues të tjerë pësuan lëndime.
Drejtësia nuk ka ndodhur akoma por krimi nuk vjetërohet kurrë.
Mon Balaj e Arben Xheladini ranë dëshmorë për liri e vetëvendosje. Ata janë udhërrëfyesit e përhershëm në rrugën e përbashkët të idealeve tona. Ata janë udhërrëfyesit e angazhimit tonë të përditshëm e të pandalshëm për vendin tonë.
Lavdi Monit e Arbenit!
Lavdi dëshmorëve të rënë për liri e vetëvendosje!