Presidenti i FFK-së, Agim Ademi ka pritur sot në takim drejtuesit e futbollit shqiptar në Diasporë, kryetarin e Unionit të Klubeve Shqiptare të Futbollit në Zvicër, Feti Demolli dhe nënkryetarin e sekretarin e Federatës së Futbollit Shqiptar në Gjermani, Enver Muzliuka e Miftar Dragidella.
Gjatë këtij takimi u diskutua për futbollin në Diasporë dhe rëndësinë që ka ai tek bashkatdhetarët tanë, si dhe për organizimin e Superkupës ‘Kosovë-Diasporë‘.
Me këtë rast, u vendos që ky event të mbahet më 18 tetor në stadiumin qendror të Kampit Nacional në Hajvali, e ku pjesëmarrëse do të jenë KF Llapi, si fitues i Kupës së Kosovës, FC Kosova Zurich, si fituese e Kupës së Unionit në Zvicrës dhe AVK Bardhosh Gërvalla, si fituese e Kupës së Diasporës në Gjermani.
Shorti për ndeshjet e këtij eventi do të tërhiqet me 17 tetor. Drejtuesit e dy asociacioneve të futbollit shqiptar në Diasporë e falënderuan Ademi dhe FFK-në për mbështetjen e vazhdueshme që po i japin futbollit të Diasporës, teksa e vlerësuan shumë të rëndësishme që Superkupa ‘Kosovë-Diasporë‘ do të organizohet në një format të këtillë me tri ekipe.
Në anën tjetër, Ademi ritheksoi rolin tejet të rëndësishëm që Diaspora jonë ka pasur gjatë tërë historisë së re të popullit tonë, e po ashtu edhe në zhvillimin dhe ecurinë e futbollit të Kosovës ndër dekada.