Sindikata e pedagogëve mbetet e vendosur për të nisur të mërkurën grevën e urisë duke i lënë afat qeverisë deri të mërkurën në orën 16:00 për të ndryshuar qëndrimin e saj.
Sipas Sandër Kovaçit, kreut të Sindikatës së Punonjësve Universitarë, rritja e pagave me 8% nga buxheti i vetë universiteteve, nuk është i mjaftueshëm. “Ne kemi njohur vetëm 7% si rritje. Universiteti i Tiranës ka rritur 8% vetëm për këtë periudhë dhe nuk ka asnjë garanci për vitin e ardhshëm. Kurse universitetet e tjera, si Politekniku, edhe ai gjatë kësaj periudhe, këtë tremujorësh, mund ta mbulojë me shumë vështirësi. Përveç mjekësisë, ndoshta ata kanë më shumë buxhet. Universitetet e tjera nuk kanë asnjë lloj mundësie për të arritur 8%-shin. Për shembull, rritja me 8% në Universitetin e Shkodrës do të kushtonte 200 milionë lekë, ndërsa të ardhurat ishin vetëm 100 milionë”, tha Kovaçi.
Pa fonde dhe të keqpaguar, pedagogët shqiptarë me pagat më të ulëta në rajon. Sipas tij, duhen marrë garanci që rritja me 8% nuk do të mbahet nga tarifat e studentëve dhe që nuk do të sjellë ulje të investimeve në universitete. “Rroga është çështje fikse. Ne nuk jemi dakord as me 15%. Aq më tepër që nuk janë përfshirë stafi ndihmës, që për ne është jetik. Nëse nuk kemi përgjigje pozitive nga qeveria, kemi gatishmërinë e një pjese të stafit të cilët janë gati. Do të jetë unike në botë besoj që në grevë urie të futen personel akademik”.