Kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj kritikon Qeverinë e Kosovës për mungesë bashkëpunimi me pushtetin lokal. Ai thotë se me një mbështetje më të madhe financiare do të mund të realizoheshin projekte të rëndësishme në Prizren, çka sipas tij, do të ndikonte në përmirësimin e kualitetit të jetës së qytetarëve. Ai thotë se kanë arritur të shpenzojnë rreth 60% të buxhetit për investime kapitale edhe pse thekson se punën me këtë buxhet nuk e kanë filluar deri në fund të prillit të vitit të kaluar.
Në një intervistë për KosovaPress, Totaj thotë se te kategoria tjetër e buxhetit që përfshin mallrat dhe shërbimet është shpenzuar në përqindje më të madhe, rreth 90%.
“Buxheti për investime kapitale është një indikator shumë i rëndësishëm, ne kemi filluar me shpenzime të buxhetit për investime kapitale diku ka fundi i prillit sepse gjendja që e kemi trashëguar ka qenë se nuk e kemi pasur të miratuar buxhetin, pasi e kemi miratuar derisa na është aprovuar nga qeveria ka marrë kohë, nga fundi i prillit kemi filluar të shpenzojmë mjete buxhetore dhe unë e kam pas bërë një farë kriteri të vlerësimit të performancës tonë duke marrë parasysh se kemi filluar vonë diku dy të tretat e buxhetit për investime kapitale do të mund t’i shfrytëzojmë, për momentin jemi diku nga 60%”, thotë Totaj.
Kryetari i Prizrenit vlerëson se me një bashkëpunim më të mirë në mes të qeverisë dhe pushtetit lokal, do mund të realizoheshin projekte, që sipas tij, do të ndikonin në përmirësimin e jetës së qytetarëve por edhe të përformancës së dy niveleve.
“Po ju jap një statistikë me të dhëna të cilat dalin nga vet buxheti i aprovuar për vitin 2023, 52% të investimeve të reja shkojnë për 10% të banorëve dhe 10% të territorit të Kosovës aty ku kryetarët e komunave janë nga partia që është në pushtet, kurse 48% të investimeve të reja shkojnë për 90% të banorëve dhe 90% të territorit të Kosovës, është pak a shumë praktikë normale që partia në pushtet i përkrah pak më shumë komunat ku i ka kryetarët e vet mirëpo një diskrepancë kaq e madhe nuk i shkon në favor as partisë që është në pushtet dhe as kryetarëve të komunave. Prandaj ajo çka ne kemi pritur ka qenë pak më tepër kurse ajo që ka ndodhur është më pak, nuk dua të besoj që dikush e ka bërë me qëllim por dua të shpresoj që do të ketë përmirësime në këtë drejtim nëse do ta kemi prap këtë qeveri”, thotë ai.
Totaj thotë se për më shumë se një vit, që kur mori mandatin për të udhëhequr me Prizrenin, është vizituar vetëm nga tre ministra të Qeverisë së Kosovës, çka sipas tij, dëshmon mungesën interesimit për bashkëpunim nga ana e ekzekutivit.
“Prej se unë e kam marrë pushtetin këtu, diku afër 40 diplomatë ndërkombëtarë kanë ardhur pë r të vizituar mua në këtë zyre, ambasadorë, presidentë, diplomatë të rangut, nënkryetar i Parlamentit Evropian, kryetar i Parlamentit të Austrisë, ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës… kjo është një tregues që fokusi apo vëmendja është kthyer nga Prizreni kurse në anën tjetër vetëm tre ministra na kanë vizituar deri më tani në këtë zyre këtu, që është indikator që këtu ka mundësi por ka edhe nevojë për një përmirëism që kjo nuk është as në favor të qeverisë sepse qeveria nëse do të përmirësojë diçka në Prizren, duhet të bashkëpunojë me pushtetin lokal, kjo nuk ka ndodhur, nuk është në nivelin e pritjeve të mija por dua të besoj që në të ardhmen do të jetë më mirë”, thotë kryetari i Prizrenit.
Në anën tjetër, Totaj shprehet se në katër vjetët e fundit para se ai të marrë drejtimin e komunës, në pushtet ka qenë një qeverisje që nuk ka qenë në nivel të pritjeve të qytetarëve.
“Ne nuk e kemi traget me përmirësu imazhin e askujt, ne e kemi traget me bë punën tonë në mënyrën më të mirë të mundshme, vet rezultatet e punës ndikojnë pastaj në mënyrë direkte tek përmirësimi i imazhit të qeverisë lokale por në mënyrë indirekte edhe të partisë prej nga unë vi”, thotë Totaj.
Derisa flet për projektet në këtë komunë, kryetari i Prizrenit i jep rëndësi rrugës transite për çka thotë se lidhja e saj do të shkarkojë trafikun në qytet, që sipas tij do të realizohet gjatë këtij viti.
“Një projekt shumë i rëndësishëm është rruga e transitit, e dini se ekziston një rrugë e cila e ka një shtëpi në mes dhe për 120 metra nuk po mund të lidhim dy anët e rrugës, ne jemi në hapin e fundit për të bërë lidhjen e asaj rruge, proceduralit e kemi përmbyllur, na ka mbetur vetëm të bëjmë alokimin e mjeteve dhe definitivisht të largojmë shtëpinë prej aty dhe me lidhë rrugën. Lidhja e asaj rruge transite do ta shkarkojë qytetin, do ta shkarkojë trafikun urban për qytet dhe autobusët, të cilët për momentin vijnë nëpër qytet, do të shkojnë nga ajo rrugë transite kurse në anën tjetër e kemi një projekt tjetër që e bën shkurtimin e qasjes në autostradë nga qendra e qytetit, aty jemi në fazën e vlerësimit të ofertave dhe do të fillojmë me ndërtimin e asaj rruge”, thotë ai.
Gjithashtu, Totaj shprehet se janë në kërkim të një partneri për të bërë studimin e fizibilitetit të trafikut brenda qytetit.
“Jemi në fazën e kërkimit të një partneri për të bërë studimin e fizibilitetit të trafikut urban brenda në qytet për me pa sa stacione të trafikut urban ka nevojë, sa stacione të reja na duhen, sa lidhje na duhen dhe sa shpesh duhet të nisen autobusët dhe pastaj ajo kompani nëse ka gatishmëri të merr implementimin e atij projekti, jemi në fazë ne negociatave dhe besoj që do të kemi lajme më konkrete me ja dhënë një mundësi një kompanie me autobusë të vegjël deri 20 persona të lëvizin më shpesh në qytet dhe t’i inkurajojmë njerëzit që të përdorin transport publik dhe mos të lëvizin me makina pa pasur ndonjë nevojë shumë të madhe”, thotë ai.
E shtigjeve për biçikleta, Totaj potencon se do të shtojnë edhe në hyrje-dalje të qytetit, krahas atyre që janë në unazën e Prizrenit.
Totaj, gjithashtu pret që gjatë këtij viti të rregullohen hapësirat publike që përfshijnë tavolinat dhe çadrat e lokaleve, shitësit ambulantë si dhe kiosqet.
Në vitin 2022, Asambleja e Prizrenit e ka miratuar si zyrtare gjuhën rome, krahas asaj boshnjake e turke që njihen në këtë komunë.