Punëtorët e ndërrimit të parë të minierës së Trepçës, gjegjësisht rreth 130 prej tyre, kanë mbetur të ngujuar si pasojë e një defekti të energjisë elektrike që ka pamundësuar lëvizjen me ashensor nëpër horizonte.
Një gjë të tillë e ka konfirmuar kryetari i Sindikatës së Minatorëve të ndërmarrjes ‘Trepça’ për lajmi.net.
Ai ka thënë se që nga ora 11:00 nuk ka funksionuar ashensori, çka ua ka pamundësuar lëvizjet punëtorëve nëpër horizonte.
“Është e vërtetë që kanë ngecë, d.m.th defekti është rryma. Këta punëtortë janë të ndërrimit të parë, fillojnë punën në ora shtatë dhe në ora dy dalin. Problemi është që nga ora 11:00 deri më tash [14:30]. Ashensorët punojnë me rrymë, ne nuk mundemi as me hi as me dalë pa pasë furnizim me rrymë. Kanë ardhë edhe këta të KEDS-it edhe punëtorët tanë”, ka deklaruar ai.
Problem i ngjashëm kishte ndodhur edhe vitin e kaluar, ku kishin mbetur të ngujuar 100 punëtorë si pasojë e djegies së trafos kryesore.