Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli është duke raportuar para Komisionit Hetimor për energjinë e formuar nga opozita, ku kryesues është deputeti i LDK-së, Driton Selmanaj.
Ajo foli për gjendjen e rëndë që qytetarët e Kosovës u përballën me muaj të tërë gjatë këtij viti.
Megjithatë, ajo tregoi se kanë zhvilluar takime bilaterale me zyrtarë të Maqedonisë Veriore dhe Shqipërisë, por që nuk ka pasur asgjë konkrete.
Madje, me Maqedoninë e Veriut ajo tregoi se kanë diskutuar për mundësinë e këmbimit të thëngjillit me energji elektrike, por që ishte e parealizueshme.
“Ne kemi arritur rekord sa i përket kërkesës për energji dhe kjo e ka vështirësuar. Është nënshkruar një marrëveshje me KEK për energjinë elektrike, në ato kohë të vështira, ka pasur reduktime të energjisë për shkak të energjisë së pamjaftueshme që e kemi prodhuar. Ky është ai momenti kur janë ndarë 20 milionë euro në dhjetor për subvencionimin e energjisë elektrike”, tha ajo.
“Kemi pasur edhe takime bilaterale me Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut për bashkëpunim për tejkalim të krizës, mirëpo, thjesht nuk ka pasur, pavarësisht vullnetit politik të tri palëve për bashkëpunim, ka qenë e parealizueshme, pasi Shqipëria është përballur me një krizë më të madhe sesa ne. Ndërsa, me RMV-në kemi diskutuar për mundësinë e këmbimit të thëngjillit me energji elektrike, ka qenë e parealizueshme së paku për muajt në dimër kur kemi qenë në krizë. Logjistikisht, një gjë e tillë ka qenë e pamundur nga ana jonë”, shtoi ministrja.
Gjithashtu, Rizvanolli njoftoi se përderisa situata ka qenë e rënduar, Qeveria ka vendosur të ndajë edhe 10 milionë të tjera muaj më parë shpenzimi i së cilave ka filluar menjëherë.