Të mërkurën ka filluar furnizimi me ngrohje për konsumatorët në Prishtinë. Krahas konsumatorëve të vjetër, furnizim me ngrohje do të kenë edhe disa lagje tjera, të cilët për herë të parë janë kyçur, raporton Ekonomia Online.
Kjo u bë e ditur me rastin e vizitës së kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama që i bëri Ngrohtores.
Nga “Termokosi” thanë se paraprakisht janë zhvilluar me sukses gjithë përgatitjet e nevojshme, riparimet e rrjetit e nënstacioneve të ngrohjes dhe testimet e pajisjeve e rrjetit.Kryetari Rama, duke folur për punën e menaxhmentit, u shpreh optimist se zgjerimi i ngrohjes do të vazhdojë edhe nëpër lagje të tjera.
“Kam besimin e plotë që zgjerimi ka me ndodh në mënyrën më të mirë të mundur dhe besoj se nuk do të kemi fare probleme”, tha Rama.
Kryeshefi i “Termokosit”, apeloi tek konsumatorët që t’i shlyejnë detyrimet e tyre, duke shtuar se borxhi aktual është 16 milionë euro.
“Sot po e fillojmë më herët këtë sesa është me ligj, ne jemi të përgatitur si Ngrohtore mirëpo ne kemi edhe disa projekte, siç është modernizimi dhe nënstacionet e reja. Borxhi aktual është 16 milionë euro”, tha kryeshefi.