Policia e Kosovës ka dhënë detaje për angazhimin e pjesëtarëve policorë në ditën e manisfestimit tradicional të festës së “Vidovdan” nga qytetarët serbë.
Sipas njoftimit, policia me kohë ka përgatitur planin operativ për menaxhimin e situatës së sigurisë, para, gjatë dhe pas manifestimit, shkruan lajmi.net.
Policia ka thënë se me qëllim që ky manifestim të kalojë qetë dhe pa incidente, janë paraparë ndërmarrja e masave të nevojshme planifikuese, koordinuese, preventive dhe operative në të gjitha departamentet dhe rajonet policore, në mënyrë që manifestimi të zhvillohet në suaza normale, të rendit dhe qetësisë publike.
Në kuadër të realizimit të planit operativ, policia sot në orët e mëngjesit në pikat kufitare në Vërmicë dhe Kullë, gjatë kontrollit policor në tri raste të ndara ka ndaluar për kontrolle dhjetë persona të nacionalitetit serb, shtetas të Malit të Zi.
Gjatë kontrollit, policia ka gjetur në bagazhet e automjeteve të tyre disa maica të dyshuara me mbishkrime të nxitjes së urrejtjes, të cilat janë konfiskuar.
Ndërkaq, gjatë manifestimit në Gazimestan është arrestuar një shtetas i Serbisë, i cili është shoqëruar në stacion policor për shkak të dyshimit për thirrje dhe nxitje të urrejtjes e përçarjes.
Njoftimi i plotë nga policia:
Ashtu siç e kemi bërë të ditur lidhur me manifestimet tradicionale të festës së “Vidovdan-it” e cila po mbahet sot (28.06.2022) Policia e Kosovës, me kohë ka përgatitur planin operativ për menaxhimin e situatës së sigurisë, para, gjatë dhe pas manifestimit.
Me qëllim që ky manifestim të kalojë qetë dhe pa incidente, janë paraparë ndërmarrja e masave të nevojshme planifikuese, koordinuese, preventive dhe operative në të gjitha departamentet dhe rajonet policore, në mënyrë që manifestimi të zhvillohet në suaza normale, të rendit dhe qetësisë publike.
Në kuadër të realizimit të planit operativ “Vidovdani 2022”, sot në orët e mëngjesit në pikat kufitare SPK Vermice dhe SPK Kullë, gjatë kontrollit policorë zyrtarët kufitar në tri raste të ndara kanë ndaluar për kontrolle dhjetë (10) persona serb shtetas të Malit të Zi.
Gjatë kontrollit në bagazhet e automjeteve të tyre janë hasur disa ndërresa (maica) të dyshuara me mbishkrime të nxitjes së urrejtjes.
Lidhur me rastet janë kontaktuar prokurorët kompetent, me vendim të të cilëve personave në fjalë iu është refuzuar hyrja në Kosovë, përderisa ndërresat (maicat) me mbishkrime të ndryshme janë konfiskuar.
Ndërsa gjatë manifestimit në Gazimestan një (1) person shtetas i Serbisë është shoqëruar në stacion policor, pasi i njëjti dyshohet për thirrje dhe nxitje të urrejtjes e përçarjes.
Po ashtu lidhur me rastin të gjitha veprimet e mëtejme do të realizohen në bashkëpunim dhe koordinim me prokurorin kompetent.
Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në realizimin e detyrave dhe autorizimeve të saj ligjore, zbatimin e Kushtetutës së RKS-së në funksion të garantimit të një mjedisi të qetë e të sigurt për të gjithë qytetarët.