Kryengociatori serb në dialogun me Kosovën, Petar Petkoviq tha se vendimi për shkarkimin e ekipit menaxhues i cili e hartoi draftin e statutit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe i cili u prezantua të martën në Bruksel, është “i njëanshëm dhe i paligjshëm”.
Petkoviq tha se ky vendim “çon në shfuqizimin e Asociacionit dhe dialogut”.
“Mandati i Ekipit Menaxhues nuk përfundon me prezantimin e draft-statutit të Asociacionit, por ekipi drejtues ka një rol të rëndësishëm në vetë procesin e formimit të Asociacionit, deri në themelimin e tij”, tha Petkoviq.
Ai tha se me këtë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti “e ndërpreu procesin e formimit të Asociacionit”, raportojnë mediat serbe.
“Tani mendoj se është e qartë për të gjithë se Kurti nuk dëshiron ta formojë Asociacionin dhe se dëshiron ta shmangë këtë obligim të rëndësishëm në çdo mënyrë”, tha ai.
Petkoviq i bëri thirrje Bashkimit Europian që “ta ndalojë menjëherë paligjshmërinë e Kurtit”.
“Me këto lëvizje të sforcuara Kurti tregon pa mëdyshje se nuk dëshiron as paqe e as dialog. Paligjshmëria e Albin Kurtit duhet të ndalet urgjentisht nga BE-ja, sepse shkarkimi i Ekipit Menaxhues çon në shfuqizimin e Asociacionit dhe rrjedhimisht edhe shfuqizimin e procesit të dialogut”, ka përfunduar Petkoviq.
Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi ka marrë vendim që ta shkarkojë Ekipin Menaxhues i cili u ngarkua me hartimin e draftit të statutit të Asociacionit, pasi kryeministri Albin Kurti e paralajmëroi këtë pas takimit me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq të martën në mbrëmje.