Dy persona kanë mbetur të lënduar, pas një përleshje me armë zjarri që erdhi si pasojë e një përleshje në mes të dy familjeve në lagjen “Hajvalia” të komunës së Prishtinës.
Policia e Kosovës, ka njoftuar se në vendin e ngjarjes janë sekuestruar tri gëzhoja dhe një fishek të pashkrepur. Ndërkaq personi i cili dyshohet se e ka kryer plagosjen është lokalizuar nga policia dhe i njëjti është dërguar për intervenim kirurgjik në spital pasi që ka marrë edhe ai lëndime.
I dyshuari tjetër pas inervistimit është liruar në procedurë të rregullt kurse i dyshuari i tretë është dërguar në mbajtje.
Rasti po vazhdon të hetohet nga Policia e Kosovës.
“Është raportuar për një përleshje në mes të dy familjeve, njësitë relevante policore kanë dalë në vendin e ngjarjes ku kanë gjetur dhe sekuestruar tre gëzhoja dhe një fishek të pa shkrepur. Një i dyshuar mashkull kosovar, i cili dyshohet se ka kryer plagosjen, është lokalizuar. I njëjti i është nënshtruar një intervenimi kirurgjik në spital pasi që ka pësuar lëndime. Me vendim të prokurorit i dyshuari mbetet i shtrirë në spital nën sigurimin e policisë. Revolja e cila dyshohet se është përdorur në rast, dhe një karikator pa fishek janë sekuestruar. I dyshuari tjetër mashkull kosovar i cili ka mbetur i plagosur me armë zjarri është intervistuar dhe liruar në procedurë të rregullt. I dyshuari i tretë mashkull kosovar me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje. Rasti vazhdon të hetohet”, thuhet në njoftim.
Rasti nga Policia e Kosovës është cilësuar si tentim vrasje.