Pa paralajmërim, emisari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, sot erdhi në Prishtinë për t’u takuar me kryeministrin Albin Kurtin dhe kryenegociatorin në dialog, Besnik Bislimi.
Lajçak para gazetarëve tregoi mbi çështjet që kanë diskutuar në takim, duke thënë se temë kishin hapat e mëtejshëm në dialog, veçanërisht çështjen e energjisë dhe çështjen e targave meqë afati i fundit është 31 tetori.
Emisari europian tha se është shumë e rëndësishme që ai dhe Unioni të dinë cilat janë planet në mënyrë që të shmanget ndonjë eskalim i mundshëm i situatës.
Me të njëjtën agjendë dhe për të diskutuar mbi të njëjtat çështje, Lajçak tha para mediave se do të udhëtojë edhe drejt Beogradit të hënën.
Edhe kësaj radhe, ndërmjetësuesi Lajçak nuk foli për afate kohore se kur mund të arrihet një marrëveshje përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë.
Megjithatë, ai ka ritheksuar se ka një periudhë kohore të përshtatshme e që do të jetë deri në vitin 2024 kur edhe do të mbahen zgjedhje në Washington dhe Bruksel.
“Shiko, çdo ditë është e rëndësishme. Çfarë kam thënë disa herë, kemi një kalendar unik që është favor tonin dhe s’jemi ndërprerë nga zgjedhjet, dhe kemi një aleancë unike SHBA-BE që po përkrahet nga Britania e Madhe. Kemi këtë dritare të hapur që zgjat deri kur do të mbahen zgjedhjet në SHBA dhe në BE në vitin 2024”, ka thënë Lajcak në konferencë për media.
Lajçak gjithashtu ka thënë se s’do të jetë mirë në rast se s’do të ketë progres deri në vitin 2024 kur edhe do të mbahen zgjedhjet, meqë pastaj fokusi i SHBA-së dhe Bashkimit Europian do të jetë diku tjetër.