Deputetë të Partisë Demokratike të Kosovës bënë sot të ditur se do të procedojnë në Kuvend nismën për hartimin e Projektligjit për pensionet e zyrtarëve të Policisë së Kosovës dhe për punonjësit e Inspektoratit policor me autorizime policore.
Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu tha se nisma për hartimin e këtij projektligji është bazuar në Kushtetutën e Kosovës dhe se është e domosdoshme pasi mosha mesatare e policëve është 47 vjeç, raporton Telegrafi.
“Jemi këtu për të njoftuar se në emër të Grupit parlamentar të PDK-së kemi marr nismën për hartimin e Projektligjit për pensionet e zyrtarëve të Policisë së Kosovës dhe punonjësve të Inspektoratit Policor me autorizime policore.
Duke e ditur se Policia e Kosovës është më e reja e themeluar në Evropë ajo fatkeqësisht nuk është e re në moshë. Tani zyrtarët e Policës së Kosovës arrijnë moshën mesatare 47 vjeç, andaj është e domosdoshme të bëhet shqyrtimi i këtij projektligji të bëhet në afatin sa më të shkurtër kohor”, tha ajo .
Musliu bëri të ditur se krahas draftit të projektligjit kanë përgatitur edhe memorandumin shpjegues të këtij projektligjit, kanë mbledhur nënshkrimet e nevojshme dhe sot zyrtarisht do ta procedojnë në Kuvendin e Kosovës.
Sipas saj, me këtë ligj do të rregullohen kushtet dhe kriteret e pensionimit, llojet e pensioneve, kategorizimet etj.