Pas takimit me presidentin e Shqipërisë, e para e shtetit të Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë se pret që Shqipëria të jetë edhe me tej zë i Kosovës në arenën ndërkombëtare.
“I gëzohemi të arriturave të Shqipërisë dhe llogarisim në mbështetjen tuaj derisa Kosova ecën në po të njëjtat hapa në proceset integruese. Gjatë udhëheqjes suaj llogarisim në ju, presim që Shqipëria të jetë më tej zëri ynë aty ku i jepet mundësia”, ka thënë presidentja Osmani.
Osmani ka thënë se objektiv strategjik i Kosovës mbetet anëtarësimi në NATO dhe Bashkim Evropian për çka ka theksuar se Kosova do të aplikojë për statusin e vendit kandidat në BE deri në fund të këtij viti.
“Në këtë kohë kur po sfidohet arkitektura e sigurisë, siguria është shndërruar në prioritet, ne po bëjmë koordinim të plotë me partnerët strategjikë në mënyrë që rajoni jonë të ndjehet i sigurt. Për situatën në veri të Kosovës, institucionet janë të përkushtuara të vazhdojnë në koordinim të plotë me partnerët ndërkombëtar, po bëhen përgatitjet qe të zbatohen vendimet tona”, ka thënë Osmani.