Në përvjetorin e 24-të të rrëmbimit të 11 burrave dhe djemve të Gjakovës, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë se Ferdonije Qerkezi është një nënë dhe një grua e jashtëzakonshme që po sfidohet vazhdimisht në pritje të zbardhjes së fatit të burrit dhe katër djemve, të rrëmbyer dhe të zhdukur me dhunë në mënyrë kriminale nga regjimi gjenocidal i Serbisë.
E para e vendit ka thënë se nëna, Ferdonije Qerkezi është shembull i jashtëzakonshëm i ngulmimit dhe qëndresës në momentet e vështira.
“Ajo është një nënë dhe një grua e jashtëzakonshme që po sfidohet vazhdimisht prej 24- vjetësh në pritje të zbardhjes së fatit të burrit dhe katër djemve, të rrëmbyer dhe të zhdukur me dhunë në mënyrë kriminale nga regjimi gjenocidal i Serbisë. Nëna ikonë në këtë përvjetor sërish është e vetme në tryezë në pritje të një lajmi.”, thuhet në njoftimin e presidencës.
Tutje Osmani ka thënë se nuk ka fjalë që mund ta shprehë dhimbjen dhe trishtimin e saj teksa ka shtuar se do të bëjnë gjithçka që është e mundur që fati i familjarëve të nënës Ferdonije, sikurse edhe i mbi 1 mijë e 600 të zhdukurve me dhunë të zbardhet sa më parë.