Komisioni për Ekonomi është duke shqyrtuar mocionin e dhjetë deputetëve të LDK-së për shkarkimin e bordit të ZRRE-së, pasi që sipas tyre, ZRRE nuk ka qenë transparent me Komisionin për Ekonomi, dhe se kanë dështuar në menaxhimin me krizën energjetike.
“Ne kemi paralajmëruar që do të ketë krizë energjetike, por ZRRE nuk e ka pranuar këtë dhe pas dy muajsh ka vazhduar kriza energjetike, ZRRE nuk ka bashkëpunuar me ne si komision, ajo ka bërë shkelje, në mbrojtje të konsumatorit, ka dështuar ZRRE, kur është rritur energjia, i ka përjashtuar komunat veriore për tarifat edhe Avokati i Popullit ka thënë se ka pasur diskriminim nga ZRRE-ja” ka thënë deputetja e LDK-së, Bunjaku Rexhepi gjatë arsyetimit të këtij mocioni.
Në anën tjetër, Lëvizja Vetëvendosje, përmes shefes së grupit parlamentar, e ka kundërshtuar këtë mocion.
“Të shkarkohet bordi i ZRRE-së në këtë kohë të krizës, nuk është e pranueshme”, tha ajo duke cituar ligjet se në cilat rast shkarkohet bordi.
Ndërsa, deputeti i AAK-së, Pal Lekaj, u shpreh se qeveria dhe ZRRE kanë treguar se kanë afërsi me njëra-tjetrën.
“ZRRE ka komunikuar me qeverinë, kanë treguar që janë afër me qeverinë, kanë vepruar në mënyrë jo të barabartë me qytetarët dhe çmimet, tani kur jemi te shtrenjtimin, e kanë rënduar jetën e qytetarëve me shtrenjtimin e energjisë, kjo është e papranueshme”, ka thënë Lekaj.