Përmbytjet në Skënderaj shkaktuan dëme të mëdha në infrastukturë, ekonomi familjare, biznese dhe automjete.
Kryetari i kësaj komune Fadil Nura, tha se sipas vlerësimeve preliminare dëmet tejkalojnë vlerën miliona euro.
Ai tha se janë formuar komisionet për vlerësimin e dëmeve dhe shumë shpejt do të dalë komuna me raport përfundimtar.
“Ka dëme jashtëzakonisht të mëdha, nëntë komisione i kemi në terren për të dhënë një raport përfundimtar, por dëmet tejkalojnë miliona euro. Shpresoj që autoritet qendrore do ta kenë parasysh, sepse e kanë edhe obligim ligjor… Sot nuk ka brez të gjallë që e mban mend që ka pasur një nivel të tillë të vërshimeve, ne kemi intervenuar, sepse vërshime ka pasur edhe para një muaj dite. Por reshjet për 24 orë kanë ndikuar që të ketë vërshime të shpejta. Kjo nuk ka pas të bëj as me kanalizime dhe as me shtrat të lumit”, theksoi Nura.
Për t’i parë nga afër dëmet e shkaktuara nga vërshimet në Skënderaj, ishte edhe kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi i cili kërkoi nga qeveria kompensimin e miliona euro të shkaktuara nga përmbytjet e djeshme.
“Fatmirësisht kemi shpëtuar pa humbje të jetëve të njerëzve dhe vlerësoj angazhimin e komunës gjatë këtyre 24 orëve. E ftoj qeverinë qendrore që mos të ndalet me angazhimin që e ka filluar dje, por të shtojë ekipet për menaxhimin e krizave dhe që menjëherë të ndaj fonde të mjaftueshme për të bërë kompensimin e dëmeve që sipas vlerësimeve preliminare janë milionëshe, si në infrastrukturë publike, dhe në familjet e shumta që janë në Llaushë dhe në fshatra të tjera. Është një gjendje që kërkon një kujdes më të madh”, theksoi Krasniqi.
Skënderaj dhe Mitrovica janë dy komunat më të prekura nga vërshimet dhe kanë shpallur gjendje të jashtëzakonshme. Gjendje e rënduar dje ishte në Istog, Podujevë dhe komuna të tjera. /Kp