Sot, në Kuvendin e Kosovës u zhvillua një mbledhje e përbashkët në mes Kuvendit të Kosovës dhe atij të Shqipërisë, ku përpos deputetëve, të pranishëm ishin edhe presidentja e vendit, Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti, si dhe kryeministri shqiptar, Edi Rama.
Punimet e seancës i filloi kryeparlamentari Glauk Konjufca, i cili falënderoi Shqipërinë dhe institucionet e saj për ndihmën që i ka dhënë Kosovës në arenën ndërkombëtare, teksa tha se Kosova është kampione e demokracisë në rajon, shkruan lajmi.net.
“Kosova mbetet një kampion i demokracisë në rajon, e vlerësuar edhe prej institucioneve perëndimore dhe me këtë duhet të krenohemi të gjithë ne si popull. Shqiptarët gjithmonë kanë qenë aleati më i natyrshëm i vlerave perëndimore në Ballkan. E falënderojmë Republikën e Shqipërisë, e falënderojmë Kuvendin, Qeverinë shqiptare që ka qenë e zëshme për mbrojtjen e interesave të Kosovës, për mbrojtjen e shtetësisë së Kosovës në arenën ndërkombëtare”, tha ai.
Konjufca shtoi se të dyja vendet synojnë të njëjtën familje – “integrimin evropian të shteteve tona”.
Pas tij, fjalën e pati kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Elisa Spiropali, e cila para të pranishmëve tha se Shqipëria ka mbërritur tashmë në dyert e BE-së dhe është shteti që ka merituar më shumë se çdo vend tjetër anëtarësimin në Bashkim Evropian.
Ajo gjithashtu theksoi se Tirana zyrtare është e shqetësuar që Kosova ende s’e ka fituar statusin e vendit konditat, teksa u bëri thirrje vendeve mosnjohjes që ta njohin pavarësinë e Kosovës.
“Jemi të brengosur që Kosova s’e ka fituar ende statusin e vendit kandidat, që sipas gjykimit të përgjithshëm e ka merituar më herët. Nxisim 5 vendet e vetme të Bashkimit Evropian që nuk e kanë njohur ende, të pranojnë se çfarë nuk bëhet tani, s’është mirë të lihet për më vonë, se herët a vonë është e qartë që Kosova do të jetë edhe një Flamur më shumë në OKB dhe një yll më shumë në flamurin Evropian. Shqipëria ka mbështetur dhe vazhdon të mbështes anëtarësimin në Këshill të Evropës. Kosova ka plotësuar kushtet dhe anëtarësimi është çështje kohe”, tha Spiropali.
Pas dy kryeparlamentarëve radhën e pati presidentja e vendit, Vjosa Osmani, e cila kërkoi “koordinim më të shpeshtë” dhe “bashkëpunim më të madh” mes dy shteteve.
Ajo shtoi se secili duhet ta luajë rolin e tij në arritjen e këtij qëllimi.
“Secili prej nesh duhet ta luajë rolin e tij në avancimin e vizionit të shteteve dhe të qytetarëve tonë brenda familjes së kombeve evropiane. Lidhja e thellë është e rrënjosur në histori, në sakrificat e panumërta dhe në një vizion të përbashkët për të ardhmen. Kjo lidhje nuk është thjesht simbolike, është një themel i pathyeshëm mbi të cilin duhet të ndërtojmë bashkëpunim më të madh e koordinim më të shpeshtë”, tha ndër të tjerash ajo.
Fjalimi i Osmanit u pasua nga ai i kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, i cili mbajti një fjalim më të gjatë se pararendësit.
Nga foltorja e Kuvendit, Rama i bëri thirrje Kosovës, që të zbatojë njëanshëm obligimet e dialogut, jo për shkak të Serbisë, por për hirë të martirëve dhe për hirë të rrugës euroatlantike të Kosovës.
Ai nuk la pa përmendur edhe gjykimin e ish-krerëve të UÇK-së në Hagë.
Rama shprehu habinë e tij se si në Kuvendin e Kosovës s’është marrë asnjë iniciativë për të ngritur shqetësimet sa i përket procesit gjyqësorë në Hagë, që sipas tij është nën nivelin e drejtësisë që ndodh në vendet të cilat e financojnë Gjykatën.
“S’mund të rri dot pa ua thënë vëllazërisht, çudinë time që në këtë sallë s’është marrë një nisëm, të përkrahur nga të gjitha partitë politike, për të shprehur shqetësimin e madh për standardet e atij procesi dhe për të kërkuar një mision verifikimi lidhur me këtë shqetësim. Gjykata është e pavarur, por standardet nuk janë të varura nga gjykatësit”, ka thënë Rama.
Pas Ramës, fjalën e pati kryeministri Albin Kurti, i cili tha se Kosova e ka shtrirë sovranitetin në veri si asnjëherë më parë.
Sipas tij, më pjesa veriore nuk mund të destabilizohet.
“Si asnjëherë me parë kemi shtrirë sovranitetin në veri të Kosovës, kemi integritet territorial dhe sot që po flasim në Kosovë mund të këtë akte sporadike terroriste, por nuk ka më burime të brendshme që mund të na cenojnë sigurinë apo stabilitetin. Aktet terroristet parlamentar te orkestruar e të financuar nga Serbi është shprehje e pafuqisë së tyre. Dikur nuk kanë bërë akte terroriste sepse e kishin krejt në kontroll tash që e kanë humbur kontrollin bëjnë akët terroriste, por ky është fundi i tyre”, ka thënë Kurti.
Kurti gjithashtu bëri thirrje që bashkëpunimi mes dy vendeve të vazhdojë edhe më tutje.
“Shqipëria dhe Kosova aspirojnë të jetë anëtare të denja të familjes euro-atlantike dhe po marrin përgjegjësinë që u takon në lidhje me anëtarësimin në Bashkimin Evropian dhe në NATO. Pakicat kombëtare në Kosovë dhe te shqiptarët në përgjithësi janë bashkë me ne sepse ne jemi respektues dhe të përgjegjshëm ndaj tyre. Kosova dhe Shqipëria besojnë në të drejtat e njeriut, janë kontribuese të paqes dhe të sigurisë në rajonin e Ballkanit Perëndimor, prandaj dhe janë mbështetës të fuqishëm të proceseve integruese euro-atlantike. Sot më shumë se kurrë shtetet demokratike në kontinentin tonë po ndërgjegjësohen se kanë nevojë si për Bashkimin Evropian, si për NATO-n. Jo më kot, dy vendet anëtare të Bashkimit Evropian, Finlanda dhe Suedia, kohët e fundit vendosën që t’i bashkohen Aleancës së Atlantikut Verior. Neve në Kosovë na gëzon fakti që Shqipëria është anëtare e NATO-s dhe vend kandidat i Bashkimit Evropian. Kosova ka dorëzuar aplikimin për t’u bërë anëtare e Bashkimit Evropian dhe po avancon në këtë drejtim, për aq sa lejon situata ku ajo ndodhet, kryesisht për shkak të refuzimit agresiv të Serbisë për të na njohur si shtet, por edhe për shkak të mosnjohjes nga pesë vendet anëtare të BE-së. Ndërkaq NATO-ja është në Kosovë, Kosova nuk është ende në NATO”.
Ndërkaq, fjalimi që nxiti më së shumti reagime ishe ai i kreut të AAK-së, Ramush Haradinaj, i cili pati kritika të ashpra ndaj kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.
Duke akuzuar kreun e Qeverisë për izolim të vendit, Haradinaj tha se Kosova është në të njëjtin thes me Korenë e Veriut për shkak të veprimeve të Kurtit.
“Hapat e gabuar e të pakoordinuar të qeverisë së Kosovës, të kryeministrit të Kosovës, me partnerët strategjikë, posaçërisht të ShBA-së, për integrimin e serbëve të veriut, kanë bërë që Serbia nga një pjesë e bashkësisë ndërkombëtare të shihet si viktimë, e Kosova, të them më së buti, e papërgjegjshme dhe shtet joserioz. Si pasojë, jemi nën sanksione të BE-së dhe ShBA-së. Pra, Kosova është në të njëjtin thes me Korenë e Veriut nga kryeministri Kurti dhe qeveria e tij”, u shpreh kreu i AAK-së.
Haradinaj vazhdoi kritikat ndaj Kurtit, duke përmendur rastin kur, sipas tij, kryeministri e ka quajtur Sekretarin e Shtetit amerikan “naiv”, duke shtuar se “çdo veprim i Kurtit është në përputhje me agjendën e Serbisë e Rusisë”.
Kurse, kryetari i Grupit Parlamentar të PD-së në Shqipëri, Gazmend Bardhi, ishte kritik ndaj kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama.
Pas fjalimit të Ramës, Bardhi ka thënë se këshillat nuk jepen në publik.
“Këshilla nuk jepet në publik. Nuk duhet të jetë si thikë pas shpine, pasi e dëmton vëllain”, është shprehur ai.
Ndryshe nga ta, shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, ka kërkuar që Kosova dhe Shqipëria të thellojnë bashkëpunimin.
Në adresimin e tij në mbledhjen e përbashkët të dy kuvendeve, Gashi ka vlerësuar se të dy vendet të gjitha gjerat i kanë të përbashkëta.
Në fund të mbledhje, deputetët e të dy kuvendeve kanë miratuar një deklaratë të përbashkët. /Lajmi.net/