Njohësi i çështjeve politike, Agon Maliqi, ka analizuar situatën pas takimit të djeshëm Kurti-Vuçiq dhe planit evropian.
Ai në profilin e tij në facebook ka shkruar se nuk ka dilema nëse do të krijohet Asociacioni, por kur do të krijohet.
“Dilema këtu nuk është nëse asociacioni do të krijohet ose jo, por kur do të krijohet. Serbia e do si hap të parë dhe zhbllokues të hapave të tjerë, Kosova me gjasë po e kushtëzon me marrëveshjet e tjera dhe me korrjen e përfitimeve. Pak a shumë si parimi i qeverive paraprake: ‘nuk ka marrëveshje për asgjë pa u arritur marrëveshje për gjithçka’”, ka shkruar Maliqi.
Ai ka thënë se dokumenti ka shumë dykuptimësi.
“Në hyrje të tekstit Kosova efektivisht e pranon një fusnotë të dytë apo edhe ia zgjat jetën fusnotës së parë, teksa flitet se palët e arrijnë marrëveshjen “pa paragjykim ndaj pikëpamjeve të ndrshme të Palëve mbi çështje fundamentale, përfshi ato mbi statusin”. Pra Kosova pajtohet me idenë që Serbia të mos e njohë”, ka shkruar Maliqi.
Sipas marrëveshjes, Maliqi thotë se Serbia nuk e pengon anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare. Por, askush nuk e ndalon Rusinë e Kinën ta bëjnë një gjë të tillë.
“Disa pika të dokumentit i hapin shtigje Kosovës por nuk japin garanci dhe varen nga vullneti i shteteve mike për të na ndihmuar – pra kërkojnë proces paralel diskutimesh me ta. Serbia zotohet (Artikulli 4) se nuk do ta pengojë anëtarësimin e Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare. Çështja është se asgjë nuk e pengon Rusinë dhe Kinën që ta kryejnë këtë punë për Serbinë në OKB dhe as 5 shtetet në Evropë për të vazhduar të na pengojnë në NATO dhe BE. Kosova vitin e fundit në vend se të investojë energji dipomatike te kjo çështje, vendosi të harxhojë kot mirëbesim dhe kreditë te shtetet mike me aventurat pa krye në veri”, ka shkruar Maliqi më tutje.
“Kur e lexon tekstin e marrëveshjes dhe e sheh ekzaltimin e militantëve për mospranimin e asociacionit nuk habitesh aspak se si njerëzit besojnë në mitologji fetare të tipit “Jezusi e ktheu ujin në venë!”. Marrëveshja thjesht rikonfirmon se Kosova i ka humbur tetë vite kot me çmenduri politike për t’u kthyer aty ka qenë. Te shishja e ujit. Venë ka vetëm në sytë e besimtarëve”, përfundon postimi i Agon Maliqit.