Gjykata Themelore në Prishtinë ka vendosur ta lirojë nga paraburgimi të pandehurin M.M, për të cilin Prokuroria Speciale dyshon se është i përfshirë në vrasjen e politikanit serb Oliver Ivanoviq. Të njëjtit i është caktuar masa e paraqitjes në stacion policor për dy muajt e ardhshëm.
Lajmin për “ Betimin për Drejtësi”, e ka konfirmuar zëdhënësja për informim e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Mirlinda Gashi.
“Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special në çështjen penale kundër të pandehurit M.M, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale Pjesëmarrje ose organizimi i grupit kriminal të organizuar nga neni 283 paragrafi 3 lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, ka vendosur pas kërkesës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, për vazhdimin e masës së paraburgimit. Me datë 15.03.2023 Departamenti Special ka refuzuar kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, për vazhdimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit M.M, ashtu që të pandehurit M.M i hiqet masa e paraburgimit dhe i caktohet masa paraqitja në stacionin policor”, thuhet në përgjigjen e Gashit.
Tutje thuhet se kjo masë të pandehurit i është vazhduar edhe për dy muaj, deri më 15 maj 2023.
“Sipas gjyqtarit të procedurës paraprake, në kuptim të nenit 176 paragrafi 4, në rast të mosrespektimit të kësaj mase të sigurisë nga ana e të pandehurit M.M, e njëjta masë do të zëvendësohet me masën e paraburgimit”, theksoi Gashi.
Sipas PSRK-së, i pandehuri dyshohet për kryerjen e veprave penale “Pjesëmarrje dhe organizimi i grupit kriminal të organizuar” lidhur me veprën penale “Vrasje e rëndë”.
“Prokuroria Speciale njofton se i pandehuri M.M., dyshohet si anëtar i grupit kriminal të organizuar ka marrë pjesë aktive në kryerjen e veprave penale ‘’Pjesëmarrje ose organizimi i grupit kriminal të organizuar’’ nga neni 283 paragrafi 3 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së, lidhur me veprat penale ‘’Vrasje e rëndë’’ sipas nenit 179 paragrafi 1.9, të KPRK-së, në vrasjen e tani të ndjerit Oliver Ivanoviq, së bashku edhe me të akuzuarit e tjerë N.S., M.R., R.B dhe S.A., ku për të cilët është duke vazhduar gjykimi në Gjykatën Themelore në Prishtinë”, thuhej në njoftim.
Sipas PSRK-së, i dyshuari që nga fillimi i vitit 2019, ka qenë i paarritshëm për organet e ndjekjes, edhe pse ka pasur urdhërarrest në fuqi dhe më 19 tetor 2022, në orët e mbrëmjes është arrestuar nga Policia e Kosovës.
“Ndaj të njëjtit do të vazhdohet me procedurat sipas Kodit të Procedurës Penale, ku brenda afateve ligjore do të bëhet edhe kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit, në mënyrë që procedura penale të vazhdojë pa pengesa”, njoftoi tutje PSRK.
Ndryshe, në shkurt të 2023-ës, Gjykata Themelore në Prishtinë të akuzuarve për përfshirje në vrasjen e politikanit serb, tani të ndjerit Oliver Ivanoviq në janar të 2018-ës, Marko Roshiq, Nedelkjo Spasojeviq, Dragisha Markoviq, Zharko Jovanoviq, Silvana Arsoviq dhe Rade Basara, Gjykata Themelore në Prishtinë, ua ka ndërperë të gjitha masat e sigurisë.
Seanca e fundit ndaj të akuzuarve në këtë rast, u mbajt më 14 mars 2023