Në 15-vjetorin e shënimit të pavarësisë së Kosovës, komuna e Rahovecit ka mbajtur seancë solemne. Në këtë seancë u nderua lartë kontributi i atyre që u flijuan për liri, ndërsa u theksua se ky përvjetor i 15 po festohet pa praninë e ish krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të cilët po mbahen në Hagë.
Në këtë seancë solemne me një minutë heshtje u nderuar të gjithë ata që kanë rënë për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.
Kryetari i komunës së Rahovecit, Smajl Latifi u shpreh se tashmë Kosova po hynë në një fazë të maturisë dhe pjekurisë, dhe rrugëtimit deri këtu nuk ishte i lehtë.
Latifi tha se Kosova ia ka dalë të jetë partner serioz dhe i besueshëm për shtetet aleate që ndihmuan në shtet-ndërtimin e Kosovës.
“Po kremtojmë vitin jubilar të shpalljes së Kosovës shtet i pavarur e demokratikë e sovran, unik dhe i pandashëm që është edhe preambula e Republikës së Kosovës e cila do të miratohet pak muaj pas shpalljes së pavarësisë. Po e festojmë shtetin që bazohet mbi parimet e njohura ndërkombëtarisht e që respekton jetën dhe qytetarëve pa dallim…Tashmë kur po hyjmë në një fazë të rëndësishme të maturimit dhe pjekurisë së shtetit tonë duhet cekur se ky rrugëtim nuk ka qenë aspak i lehtë pasojat e luftës dhe përgjegjësitë që zakonisht e shoqërojnë një krijesë të re siç është ndërtimi i strukturave shtetërore e kanë ngadalësuar jo rrallë ecjen tonë. Gjithsesi ne ia kemi dal dhe Republika e Kosovës është partner serioz dhe i besueshëm i shteteve aleate të cilat na ndihmuan ta fitojmë luftën e ashpër dhe na ndihmuan të ndërtojmë lirinë dhe shtetin”, u shpreh Latifi.
Kryetari Latifi tha se edhe ky përvjetor i 15 i pavarësisë së Kosovës po festohet pa ish krerët e UÇK-së që po mbahen padrejtësisht në Hagë.
Ai tha se lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishte e domosdoshme dhe e pastër.
“Para nesh kemi sfida të shumta të vështira, por edhe vullneti ynë për të ecur përpara me kokën lartë është i madh integrimet euro-atlantike kërkojnë qëndrueshmëri e konsistencë në përmbushjen e detyrimeve tona shtetërore dhe potenciali i madh në mërgatën tonë mund të jetë i dobishëm në këtë proces. Ne edhe këtë përvjetor të 15 e festojmë pa bashkëluftëtarët tanë të cilët po mbahen padrejtësisht janë vendosur në banka akuzuese të Hagës. Ne përkundër faktit që po ballafaqohemi me padrejtësi jam i bindur dhe të gjithë jemi të bindur që lufta jonë ishte e pashmangshme e domosdoshme e drejtë dhe e pastër si loti. Bankë e akuzës të Gjykatës Speciale duhet të ketë për Serbinë dhe në bankë të akuzës shpresojmë edhe duhet të punojmë që të ulen ata kriminel që kanë bërë krime të tmerrshme edhe në komunën tonë, por gjithandej Kosovës”, theksoi ai.
Kryetari i Kuvendit Komunal të Rahovecit, Defrim Kafexhiu u shpreh se Kosova për 23 vite ka shënuar shumë hapa përpara.
Ai kujtoi edhe të gjithë të martirët, e ushtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ndërsa kërkoi nga rinia e Kosovës që të bëjnë të pamundur që të qëndrojnë në Kosovë.
“10 qershor i vitit 1999 paralajmëroi 17 shkurtin e 2008 emocionet e pavarësisë nuk i fsheh dot askush, rrënçerthja e trupit të orës së pasdites të së dielës së 15 vjet më parë përderisa ish kryeministri, Hashim Thaçi po e lexonte deklaratën historike na përcjell edhe sot e kësaj dite….Regjistruam fillimin e një epoke të re vetëm disa vite pas luftës po shpalleshim të pavarur për dikë mund të ishte ëndërrimtare, por ne ishim të vendosur. Republika e Kosovës ka ndryshuar shumë për të mirë gjithsesi këto 23 vite mbase mund të ishin më të mirë, por duhet të pranojmë një fakt kemi shënuar aq shumë hapa para sa që është vështirë t’i numrosh këtë nuk mund ta kontestojmë asnjëherë. Sidomos tani kur ky udhëtim është shpresë për një të ardhme më të mirë për të gjithë. Duhet të angazhohemi që të gjithë që të ketë rritje ekonomike e mirëqenie vetëm në këtë formë do ta bëjmë vendin tonë më të jetueshëm e më të përparuar”, tha ai.
Komuna e Rahoveci ka ndarë medaljen e lirisë për Vajdin Berisha ish-luftëtar dhe ish kryetar i degës së Shoqatës së veteranëve në Rahovec dhe Sabahajdin Cena, profesor universitar, ish udhëheqës i zyrës civile të UÇK-së.