Emisari evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak e ka nisur vitin 2025 me një vizitë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Atje, zyrtari i lartë evropian ka zhvilluar takime me zëvendësndihmës Sekretarin amerikan të Shtetit për Ballkanin Perëndimor, Alexander Kasanof si dhe ndihmëssekretarin James O’Brien.
Në një postim në llogarinë e tij në “X” ai u shpreh mirënjohës për bashkëpunimin e fortë BE-SHBA në Ballkanin Perëndimor, njofton Klankosova.tv.
“Faleminderit për ftesën ndihmësekretarit O’Brien dhe emisarit Kasanof! Më pëlqeu diskutimi ynë i gjerë sonte”, shkruan ai mes tjerash në postimin të cilit ia ka bashkëngjitur një fotografi me dy zyrtarët e lartë amerikanë.
Paraprakisht, Lajçak njoftoi për vizitën e tij të parë për këtë fillimvit në Amerikë të cilën e filloi me takimin me Kasanofin.
“Misioni im i parë në 2025 më çoi në Amerikë. Në Uashington DC, pata një diskutim gjithëpërfshirës mbi Ballkanin Perëndimor me zëvendësndihmës Sekretarin amerikan të Shtetit për Ballkanin Perëndimor Alexander Kasanof. Jam krenar për bashkëpunimin e shkëlqyer mes Bashkimit Evropian dhe ShBA-së gjatë gjithë mandatit tim”, tha emisari evropian, njofton Klankosova.tv.