Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka folur sot në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të Vetëvendosjes, parti kjo në të cilën ai është kryetar.
Kurti ka thënë se Qeverisja e tij në dy vite është karakterizuar me zero afera korruptive, shkruan lajmi.net.
“Pas tri javësh bëhen dy vite që kur kemi filluar të qeverisim me vendin, pra po arrijmë gjysmën e mandatit. Janë dy vite me plotë sfidë, fillimisht si pasojë e pandemisë, e më pastaj krizës energjetike e tregtare por edhe luftës në Ukrainë. Mund të thuhet se asnjë Qeveri nuk është përballur me këso vështirësi. Gjatë këtyre dy viteve nuk e kemi asnjë skandal korrupsion por kemi ngritje në vendet për luftim të korrupsionit”, u shpreh Kurti.
I pari i Qeverisë tha se nga janari i vitit 2024, pritet heqja e vizave.
“Kemi hedhur hapa të rëndësishëm sa i përket integrimit tonë evropian dhe euroatlantik. Themeluam grupin punues për anëtarësim në NATO, aplikuam për anëtarësim në Këshillin e Evropës, aplikuam për anëtarësim në Bashkimin Evropian ratifikuam marrëveshjet nga procesi i Berlinit dhe nga një janari i vitit 2024, presim heqjen e vizave për qytetarët tanë siç na është premtuar publikisht në dhjetor të vitit të kaluar”, tha Kurti.