Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, përmes një postimi në Facebook ka folur për takimet që ka zhvilluar gjatë dy ditëve në Davos të Zvicrës, në kuadër të Forumit Ekonomik Botëror.
Në Zvicër, kreu i ekzekutivit takoi edhe përfaqësuesin e Posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.
Ai ka theksuar se me të kanë biseduar për hapat e mëtejmë dhe nevojën për dinamizim të procesit të dialogut drejt normalizimit të plotë të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve, me njohje reciproke në qendër.
“Takova edhe përfaqësuesin e Posaçëm të Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak. Biseduam për hapat e mëtejmë dhe nevojën për dinamizim të procesit të dialogut drejt normalizimit të plotë të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me njohje reciproke në qendër”, ka shkruar Kurti në Facebook.
Postimi i tij i plotë:
Në Davos takova Zëvendës Presidenten e Zvicrës, Viola Amherd dhe Ministrin e Ekonomisë së Zvicrës, Guy Parmelin. U shpreha mirënjohjen e thellë për kontributin e Zvicrës dhënë për Kosovën. Theksuam rëndësinë e mërgatës sonë në Zvicër, që janë urë lidhëse mes dy shteteve tona.
Me Kryeministrin e Republikës së Kroacisë, Andrej Plenkoviq potencuam se me Kroacinë, Republika e Kosovës ka të përbashkët të kaluarën, por edhe të ardhmen brenda Bashkimit Evropian dhe NATO-s.
Takova edhe përfaqësuesin e Posaçëm të Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajčák. Biseduam për hapat e mëtejmë dhe nevojën për dinamizim të procesit të dialogut drejt normalizimit të plotë të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me njohje reciproke në qendër.
Ndërsa me Zëvendëskryeministrin e Ukrainës dhe Ministrin e Transformimit digjital, Mylkhailo Fedorov dhe Administratoren e USAID-it, Samantha Power, në Shtëpinë e Ukrainës në Davos diskutuam mbi transformimin digjital.