Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë qëndrimit në Spanjë ku edhe ka marrë pjesë në mbledhjen e “Internacionales Socialiste” ka dhënë një intervistë për “El periodico” ku ka folur për raportet në mes të Prishtinës zyrtare dhe Madridit.
Kurti në këtë intervistë ka thënë se ndan mendimin që mosnjohja e Kosovës nga ana e Spanjës vjen edhe si pasojë e mosnjohjes së situatës.
“Më vjen keq që Spanja është në pakicën e vendeve të BE-së dhe NATO-s që nuk e njohin Kosovën. Nga 30 shtete të NATO-s, katër nuk na njohin, përfshirë Spanjën. Dhe në BE nuk na njohin vetëm pesë, mes tyre edhe Spanja, por Spanja është shteti më i madh që nuk na njeh. Mendoj se kjo mosnjohje vjen nga mosnjohja e situatës. Kur e shpallëm pavarësinë, nuk e di se cili nga politikanët spanjollë do të formulonte analogji të gabuara me rastin e Kosovës”, ka thënë Kurti.
Sipas kryeministrit, Spanja nuk duhet të niset nga preteksti i Katalonisë për të mos e njohur Kosovës.
“Nga sa na është thënë, atëherë në Spanjë ka pasur shqetësim se pavarësia e Kosovës mund të shërbejë si precedent për disa rajone spanjolle që donin të ndaheshin… Dhe nëse ndonjë politikan spanjoll sheh ngjashmëri mes Kosovës dhe Katalonjës apo ndonjë pjese tjetër të Spanjës, Madridi nuk do të duhej ta shihte veten si Beograd”, ka thënë ndër të tjera Kurti.
Kurti tutje, ka thënë se njohja nga Spanja është vendimtare për anëtarësim në BE dhe NATO.
“Jam i përgatitur të debatoj, të bashkëpunoj dhe të flas me të gjithë ata që mund të ndihmojnë Spanjën të na njohë, sepse është vendimtare për hyrjen tonë në BE dhe NATO. Spanja është një faktor përcaktues për ne”, ka thënë kryeministrit Kurti. /Reporteri.net