Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka vendosur lule para arkivolit të regjisores Vjosa Berisha, të vendosur në hollin e Teatrit Kombëtar të Kosovës.
“Prishtina si kryeqytet i Republikës, artdashësit dhe mbarë qytetarët e vendit tonë, kanë mbetur pa një grua e cila me optimizmin, pozitivitetin e saj, por gjithashtu edhe me talentin e saj i dha shumë kulturës dhe artit te ne. Përfshirë këtu filmat në të cilët punoi dhe festivalin që e organizoi me emrin “PriFest” e i cili u bë një vend në të cilin ne takonim artistë e aktore të famshme nga bota, që edhe vizitonin Kosovën, por njëkohësisht edhe kontribuonin për vendin tonë që të futet në hartën e artit edhe kulturës botërore”, tha kryeministri Kurti në deklarimin para mediave pas homazheve.
“Me dhembje e me mall, me pikëllim, por njëkohësisht edhe me krenari që e patëm e për kontributin që ka dhënë e do të jetojë me ne, e kujtojmë me shumë nderim artisten dhe producenten Vjosa Berisha”, tha më tejai.
Ndërsa në Librin e zisë, kryeministri shkroi: “Regjisore dhe producente, artiste dhe udhëheqëse e festivalit, Vjosa Berisha ka lënë trashëgimi të çmuar për kulturën tonë dhe brezat e ardhshëm. Gjysëm shekulli jetë që ia ka vlejtur sa një i tillë!”