Kryeministri Kurti pas takimit me presidentin e Shqipërisë, Bajram Begaj, kryetaren e Kuvendit, Lindita Nikolla dhe kryeministri Edi Rama të dielën, u ka thënë mediave se i ka njoftuar ata për elementet e marrëveshjes së arritur në mes Kosovës dhe Serbisë, në Ohër më 18 mars.
“Dëshirova që t’i njoftojë për së afërmi dhe në hollësi me procesin e dialogut dhe me elementët e marrëveshjes që tash duhet të zbatohet… Presidenti Begaj, kryetarja Nikolla dhe kryeministri Rama më kanë mbështetu në procesin e dialogut dhe për marrëveshjen që kam arritur. Shqipëria është gjithmonë pranë Kosovës dhe atë e dëshmon në arenën ndërkombëtare por edhe në marrëdhëniet tona bilaterale. Me kryeministrin Rama u dakorduam që mbledhja e ardhshme e dy qeverive do të jetë në muajin qershor por gjithashtu biseduam edhe për zbatimin e deritanishëm të marrëveshjeve të nënshkruara dhe çfarë mund të bëjmë marrëveshje të reja”.
Kurti shtoi se përfaqësuesit e institucioneve kanë mbështetur qëndrimin e tij se kjo marrëveshja është njohje defakto e Republikës së Kosovës nga Serbia.
“Ata mbështetën qëndrimin tim se kjo marrëveshje është njohje defakto e Republikës së Kosovës nga Serbia, është në fakt një njohje defakto e ndërsjellët dhe gjithashtu ua shpjegova që neni 7, i cili flet për vetmenazhimin e komunitetit serb dhe e përmend Këshillin e Evropës, në fakt korrespondon tek marrëveshja kornizë për mbrojtjen e pakicave kombëtare. Ndërkaq, në pikën 10 bëhet fjalë për të gjitha marrëveshjet e deritanishme që i ka trashëguar qeveria jonë nga procesi i dialogut në Bruksel, e që janë 39 sosh e të cilat ne jemi pajtuar që duhet të zbatohen, natyrisht ato që janë valide dhe të obligueshme që thuhet në nenin 10 të marrëveshjes”.
Ndërkohë, foli edhe çka kërkon Kosova nga Shqipëria.
“Ne kërkojmë nga Republika e Shqipërisë mbështetje në forumet ndërkombëtare për Kosova, çdoherë kur diskutohet duhet të mbrohet Kosova, subjektiviteti i saj, sovraniteti, pavarësia, integriteti territorial, por gjithashtu të na ndihmojë në anëtarësime në organizata ndërkombëtare”.
Në përfundim të qëndrimit njëditor në Shqipëri, Kryeministri Kurti, u mirëprit edhe nga ish-presidenti i Shqipërisë dhe kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta. Diskutuan për zhvillimet e fundit në Kosovë në kuadër të procesit të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Kryetari Meta dha mbështetjen e tij për qëndrimet dhe qasjen konstruktive të Qeverisë së Kosovës në procesin e dialogut me Serbinë për normalizimin e plotë të marrëdhënieve.