Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani e shoqëruar nga kryeministri, Albin Kurti në Ditën e Çlirimit të vendit kanë bërë homazhe sot në Kompleksin Memorial “Adem Jashari”, në Prekaz.
E kryeministri i Kosovës, Albin Kurti theksoi se lufta çlirimtare nuk mund të kujtohet, mendohet dhe as paramendohet nga askush pa Jasharajt.
“Lufta çlirimtare nuk mund të kujtohet nuk mund të mendohet dhe as nuk mund të paramendohet nga askush pa Jasharajt. Tre breza luftuan tri ditë me atë që sot e dimë të gjithë ne dhe jo vetëm ne si Epopeja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Prekazi heroik është kryeqyteti i kryengritjes shqiptare, andaj u themi të gjithë qytetarëve të Republikës, shqiptarëve mbarë urime 12 qershori dita e Çlirimit dhe e paqes e cila i ka rrënjët pikërisht këtu tek sakrifica dhe flijimi i familjes së gjerë Jasharaj, me ç’rast nga 59 veta gjithsej gjysma ishin fëmijë e gra krahë për krahë me kryekomandatin, Adem Jashari, bacën Shaban, Hamzën dhe të gjithë të tjerët aty. Lavdia e tyre është e përjetshme ashtu sikurse edhe kujtimi ynë i pashlyeshëm”, u shpreh Kurti.
Osmani u shpreh se në Prekaz u vulos liria me sakrificën dhe trimërinë e komandantit legjendar, Adem Jashari dhe gjithë familjes Jashari.
Ajo tha se e kaluara nuk do të harrohet, por do të shërbej si një fanar ndriçues në çdo hap përpara drejtë forcimit të shtetit.
“Jemi këtu në Prekaz këtu në ditën kur të gjithë ne shprehim mirënjohjen tonë të thellë për të gjithë ata që ranë për liri, por mbi të gjitha këtu në Prekaz ku u vulos liria jonë me sakrificën dhe trimërinë e komandantit legjendar, Adem Jashari dhe gjithë familjes Jashari. Duam të tregojmë edhe njëherë se e kaluara jonë asnjëherë nuk mund të harrohet, përkundrazi ajo gjithnjë na shërbejnë si një fanar ndriçues në çdo hap që e bëjmë përpara drejtë forcimit të shtetit, lirisë sonë dhe demokracisë të ndërtuar me aq shumë mund dhe aq shumë sakrifica. Nga këtu shprehim edhe nderim për të gjithë dëshmorët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët vlerën e lirisë e vendosën edhe para jetës së tyre dhe dhanë edhe më të shtrenjtën, pra jetën e tyre në mënyrë që të gjithë ne sot ta gëzojmë këtë ditë“, theksoi ajo.