Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se është koha që Bashkimi Evropian të ndryshojë qasjen ndaj Ballkanit Perëndimor.
Ai ka thënë se fondet e BE-së duhet të ndërlidhen me vlerat evropiane.
“Ka ardhur koha për Bashkimin Evropian që ta ndryshojë qasjen ndaj rajonit. Fondet e BE-së duhet të ndërlidhen me vlerat evropiane”, ka deklaruar Kurti në konferencën “Balkan Dialogues Initiative”.
Kryeministri ka përmendur edhe të arriturat e qeverisjes së tij, ku ka përfshirë edhe liberalizimin e vizave për kosovarët që pritet të hyjë në fuqi më 1 janar të vitit 2024.
“Kur bëhet fjalë për bashkëpunim rajonal, ne kemi ratifikuar tri marrëveshjet nga Procesi i Berlinit”, tha Kurti.
Më tej, ai theksoi se në dialogun me Serbinë, Kosova është pala konstruktive dhe kreative.
“Sa i përket dialogut me Serbinë, ne jemi konstruktiv dhe kreativ në këtë proces. Ne besojmë se marrëveshja bazë e arritur është një hap i rëndësishëm”.
Ndërkaq, kreu i ekzekutivit foli edhe për të drejtat e pakicave, duke thënë se është Kushtetuta e Kosovës ajo e cila u garanton atyre të drejta.