Sot janë bërë gjashtë vjet nga vdekja e mistershme e aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Dehari. Me këtë rast, Lëvizja Vetëvendosje ka organizuar homazhe pranë varrit të tij, me ç’rast u kërkua drejtësi për vdekjen e tij, raporton Ekonomia Online.
Të pranishëm ishin figura të larta të partisë, familjarë e aktivistë të VV-së.
Nga aty, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, derisa e kujtoi Deharin, e quajti aktivist që nuk shuhet kurrë.
I shoqëruar nga prindërit, gruaja dhe vajza e Astrit Deharit, Kurti ka thënë se aktivistët si puna e Astritit janë të paharrueshëm.
“Sot janë mbushur gjashtë vjet pa aktivistin, studentin, patriotin shembullor, Astri Dehari. Lëvizja Vetëvendosje e ka pranë në zemër ashtu siç Astriti e kishte Vetëvendosjen në zemër. Dhe sot Astrit e Arbënori janë të varrosur pranë njëri-tjetrit dhe në këtë gjashtë-vjetor të mbytjes së Astrit Deharit në burg të Prizrenit, vizituam familjen e tij dhe vendosëm lule të freskëta te varri i tij. Astrit Dehari është aktivisti i cili nuk shuhet kurrë dhe i cili na bën që ne t’ia përkujtojmë rrugën për të ardhur deri këtu”, u shpreh Kurti.
E ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka thënë se fajtor për vdekjen e Astritit është Prokuroria. Ajo ka përmendur edhe shkarkimet e zyrtarëve të Shërbimit Korrektues.
“Sot jemi këtu për të përkujtuar aktivistin tonë, Astrit Dehari, një aktivist shëmbullor, i cili dha gjithçka që vetëm Kosova të jetë një vend i jetueshëm e ku ka drejtësi, barazi . Në fakt do të donim drejtësi për Astritin, por që fatkeqësisht atë nuk e kemi dhe sigurisht përgjegjësinë kryesore e mban Prokuroria, sepse ajo është përgjegjëse për hetimin e rrethanave të vrasjes së Astrit Deharit”, tha ajo.
“Unë e kam thënë se rasti Dehari, është rasti më i rëndë që nga paslufta, sepse një aktivist politik ishte marrë në paraburgim duke ia mveshur një vepër që nuk e kishte bërë dhe prej aty nuk doli i gjallë. Si Ministri e Drejtësisë të gjitha kompetencat të cilat ndërlidhen me rastin Dehari ne i kemi përfunduar, ku para pak ditësh i kemi suspenduar disa zyrtarë të cilët kishin pas përgjegjësi në këtë rast”, tha tutje Haxhiu.