Në mbledhjen e mbajtur dje, Komisioni Qendror Zgjedhor, nuk ia dha ‘‘dritën e gjelbër’’ Listës Serbe, e cila njëherësh është partia më e madhe e serbëve në Kosovë, për të garuar në zgjedhjet e 9 shkurtit, duke mos e certifikuar atë, shkruan Gazeta Express.
Ky reagim i KQZ-së, nuk u prit aspak mirë nga perëndimi, e nuk gjeti mbështetje as tek njohësit e fushës, nga ku u kritikua ashpër.
Në mesin e këtyre reagimeve sigurish është edhe ai i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
SHBA-të veprimin e KQZ-së duke mos e certifikuar Listën Serbe, e panë me shqetësim duke shtuar se proceset e drejtuara nga KQZ e që është ai zgjedhor, duhet të jenë pa ndërhyrje politike.
“Jemi thellësisht të shqetësuar me veprimet e disa anëtarëve të Komisionit Qendror Zgjedhor (KQZ) për të mos certifikuar kandidatët e Listës Srpska. Veprimet e KQZ-së rreptësisht duhet të kufizohen në zbatimin e standarteve dhe procedurave ligjore dhe çdo vendim për moskualifikimin e kandidatëve duhet të bazohet vetëm në zbatim të barabartë të ligjit. Procesi zgjedhor duhet të jetë transparent, i besueshëm dhe pa ndërhyrje politike”, është thënë nga ambasada e SHBA-së për Express.
Në vijë me SHBA-të është shprehur edhe ambasadori britanik në Kosovë, Jonathan Hargreaves, i cili ka kërkuar që ky proces të zhvillohet me integritet.
“I bëj thirrje Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të sigurohet që procesi zgjedhor të zhvillohet me integritet dhe mbi bazën e procedurave të duhura ligjore dhe jo të interesave politike”, ka deklaruar ai.
Edhe misioni i OSBE ka bërë reagim duke thënë se ky proces duhet të jetë pa konsiderata politike.
“Procesi i certifikimit është një çështje procedurale që mbështet zgjedhjet demokratike dhe duhet të jetë pa konsiderata politike. Ne i bëjmë thirrje KQZ-së që të ruajë integritetin e procesit zgjedhor në Kosovë dhe të sigurojë që hapat e mëvonshëm të jenë gjithëpërfshirës dhe në përputhje me parimet demokratike”, thuhet në reagim.
Në vazhdën e reagimeve kundër, është bashkangjitur edhe kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqi.
Edhe pse gjatë ditës së djeshmi i njëjti s’ishte deklaruar, sot, Radoniqi për KlanKosova, ka thënë se vendimi i KQZ-së, s’ka bazë ligjore.
“Jo nuk ka bazë ligjore moscertifikimi, bazë ligjore ka certifikimi. Aplikimi i ka kaluar filtrat e verifikimit të Zyrës për Certifikimin e Partive Politike dhe pas krejt verifikimeve ka konstatuar se është në rregull dhe ka rekomanduar certifikimin”, ka thënë Radoniqi.
Deklaratën e tij e “evidentoi” Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar në një postim në facebook ku thanë se kreu i KQZ’së u pozicionua qartë.
Kritik i vendimit të KQZ-së, është deklaruar edhe drejtori i Institutit të Kosovës për Drejtësi, Ehat Miftaraj, i cili ka thënë se vendimi i KQZ-së lehtësisht mund të kthehet nëse respektohet Kushtetuta e Kosovës.
“Po ashtu sipas ligjit në Kosovë, një kandidati i kufizohet e drejta për të qenë pjesë e listës për deputet vetëm në rastet kur ka dënim me burg efektiv prej një viti e më shumë në tre vitet e fundit. Institucionet përkatëse si Policia e Kosovës, MPB, MPJ dhe institucionet tjera relevante në Kosovë nuk kanë paraqitur fakte të tilla në KQZ. Në këtë drejtim nëse do respektohet Kushtetuta e Kosovës dhe rendi juridik e demokratik në Kosovë, institucionet si PZAP dhe sipas nevojës dhe ankesës edhe Gjykata Supreme lehtësisht mund të kthej ligjshmërinë e vendimit të KQZ”, ka deklaruar ai.
Përndryshe, duhet cekur se në mbledhjen e djeshme të KQZ-së, për certifikimin e Listës Serbe ka votuar kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, dhe një anëtare tjetër.
Ndërsa kundër kanë dalë dy anëtarët e LVV-së, Sami Kurteshi dhe Alban Krasniqi.
Sa i përket të tjerëve, ata kanë abstenuar.
Nga Partia Demokratike e Kosovës, Arianit Elshani, ka abstenuar në votim, me arsyetimin se Zyra për Regjistrimin e Partive Politike, ka vlerësuar që Lista Serbe i plotëson të gjitha kriteret për certifikim, por që ndan shqetësimet e përmendura nga anëtarë të Lëvizjes Vetëvendosje.
Duhet shtohet edhe se, njohës të tjerë të çështjeve politike, si Albert Krasniqi nga organizata joqeveritare Demokraci+, për Radio Evropa e Lirë ka deklaruar se moscertifikimi i Listës Serbe nga KQZ-ja, është pjesë e fushatës parazgjedhore që po bën Lëvizja Vetëvendosje.
Sipas tij, Lista Serbe do të ankohet në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) dhe do të hyjë në garën zgjedhore.
“Ligji për zgjedhjet e përgjithshme parasheh që subjektet politike që janë të regjistruar me automatizëm konsiderohen të certifikuara. Çfarë do të ndodhë është se ka afat ligjor, ku brenda 48 orëve Lista Serbe mund të ankohet në PZAP dhe pastaj ky panel ka edhe një afat shtesë prej 48 orëve të tjera për të marrë vendim. Gjithë kjo zhurmë do të zgjasë më së shumti katër ditë dhe jam i sigurt që PZAP-ja do ta kthejë mbrapa ketë vendim të KQZ-së, dhe do ta obligojë KQZ-në që ta certifikojë Listën Serb”, ka thënë Krasniqi.