“Uka i Bjeshkëve të Nemura” shfaqet sonte nga ora 20:30 te Kino Lumbardhi, përbrenda programit të kuruar LXX që e kremton 70 vjetorin e hapjes së kinemasë.
Protagonisti i filmit, Uka, një burrë i moshuar që jeton në Bjeshkët e Nemuna të njohura edhe si Alpet Shqiptare, sfidohet kur djali i tij i vetëm Jahidi bëhet bashkëpunëtor i regjimit fashist gjatë Luftës së Dytë Botërore. I udhëhequr nga nderi i tij, Uka vendos të përballet me djalin e tij.
Një bashkëprodhim i Filmska Radna Zajednica (Komiteti Filmik i Punëtorëve) dhe Kosova Filmit, “Uka i Bjeshkëve të Nemuna” është bashkë-shkruar nga Kole Casule, Murteza Peza dhe Abdurahman Shala, i cili gjithashtu luan Fuad Begun, si dhe aktorët Ljuba Tadiç, Josif Tatiç, Vesna Krajina, Melihate Ajeti, Shani Pallaska, Faruk Begolli e shumë aktorë të tjerë të mirënjohur ish-jugosllavë.
“Uka i Bjeshkëve të Nemura“ është film veçanërisht i rëndësishëm për historinë e kinematografisë kosovare, si filmi i parë i metrazhit të gjatë në gjuhën shqipe i prodhuar në ish-Jugosllavi.