Kështu synon Qeveria të dalë nga kriza me rrymë në 10 vjetet e ardhshme
Sipas strategjisë së qeverisë për energji, synohet që në 10 vjetët e ardhshme, 35 për qind e energjisë të sigurohet nga era dhe nga dielli. Por, gjithçka nuk do të jetë kaq miqësore me mjedisin. Përgjatë rrugës, planifikohen investime në termocentralet ekzistuese, që të jenë më efiçientë, raporton Gazeta Express.
Ministrja e Ekonomisë, Artanë Rizvanolli, e ka shpalosur sot draftin e strategjisë dhjetëvjeçare të energjisë. Kjo strategji përfshin periudhën kohore 2022-2031.
“Strategjia të cilën po e prezantojmë sot, paraqet rrugën nëpër të cilën do të ecim gjatë dekadës para, për ta bërë sistemin tonë energjetik më të besueshëm, më të pastër, e më të decentralizuar, me pjesëmarrje aktive të secilit qytetar”, ka thënë Rizvanolli në një konferencë për media.
Në dhjetë vitet e ardhshme, planifikohet që të bëhen investime në Termocentralin “Kosova A” dhe ne Termocentralin “Kosova B” për rritjen e kapaciteteve me energji elektrike.
“Në termocentralin ‘Kosova B’ do të bëhen investime për t’ia rritur efiçiencen, që do të thotë që sasi më e madhe e energjisë së prodhuar del në dispozicion për konsum dhe për të ulur ndotjen nga oksidet e sulfurit edhe oksidet e azotit”, tregoi ministrja.
“Një njësi e Termocetralit ‘Kosova A’ do të rivitalizohet. Për këtë, procedurat do të fillojnë sa më shpejt që është e mundur. Dhe, përderisa ky investim është duke u realizuar, do të merret vendimi sa i përket rivitalizimit të një njësie tjetër të këtij termocentrali” .
Sipas ministres, qëllimi kryesor është rritja e kapaciteteve të energjisë, përmes burimeve të ripërtërishme.
“Do të punohet intenzivisht për të ndërtuar kapacitete të reja me burime të ripërterishme të energjisë nga dielli dhe nga era, në mënyrë që nga viti 2023, njësitë e rivitalizuara të Kosovës A, të kenë nevojë të punojnë vetëm gjatë muajve të dimrit, kur kërkesa për energji elektrike të rritet, për shkak të nevojës për ngrohje”.
Rizvanolli i quan “ambicioze” synimet e Qeverisë së tanishme për zhvillimin e burimeve të ripërtërishme të energjisë në 10 vitet e ardhshme.
“Për herë të parë, strategjia jonë e energjisë parasheh targete tejet ambicioze sa i përket zhvillimit të burimeve të ripërterishme të energjisë. Brenda tri viteve të ardhshme, do të arrijmë kapacitet prej 500 mË të energjisë së ripërtrishme”, ka thënë ajo.
“Deri në vitin 2031, do të arrijmë 1400 megavat kapacitete të energjisë së ripërterishme të energjisë, duke ndërtuar kapacitete të reja të erës dhe diellore”.
Me kret këto, për dhjetë vjet, vendi, sipas Rizvanollit, ka aspirata që të sigurojë 35 për qind të konsumit të energjisë përmes burimeve të ripërtërishme.
“Deri në vitin 2031, synojmë që së paku 35 për qind të konsumit të energjisë elektrike ta gjenerojmë nga burimet e ripërterishme. Ndërsa, ndotjen nga termocentralet ta ulim për së paku 32 për qind”.
Ministrja tha se plan strategjik i Qeverisë së Kosovës është arritja e pavarësisë sa më të madhe të energjisë, ndërsa synim kryesor e ka integrimin e tregut energjetik me Shqipërinë.