Kryeqyteti i Kosovës është komuna ma transparente në vend, thuhet në raportin e fundit të Institutit Demokratik të Kosovës (KDI).
Sipas KDI-së, përkundër rritjes së performancës, komunat e Kosovës kanë arritur një transparencë të përgjithshme prej 56 për qind në politikat e përzgjedhura.
“Për më shumë, edhe pse viti 2021 ishte një vit i zgjedhjeve lokale, për dallim nga viti 2017 kur për shkak të zgjedhjeve ishte neglizhuar transparenca komunale, indeksi tregon se në vitin 2021 kishte një rritje të transparencës duke krahasuar indikatorët e njëjtë me ata të vitit paraprak. Viti 2021 ka shfaqur një trend pozitiv të transparencës në prokurimin publik në nivel komunal. Kjo paraqet një rritje prej rreth 13% krahasuar me shtatë indikatorët e njëjtë të shtyllës – nga një mesatare prej 57 për qind në 2020 në 70 për qind në 2021. Një rritje prej 9 për qind është shënuar edhe në transparencën buxhetore në të shtatë indikatorët e njëjtë nga 64 për qind në 2020 në 73 për qind në 2021”, tha Diana Metushi-Krasniqi, menaxhere e projektit në KDI.
Ajo thekson se indeksi tregon nevojën e angazhimit të pushtetit lokal në rritjen e transparencës në lidhje me ndërmarrjet dhe organizatat publike, krijimin e instrumenteve për mbrojtjen e integritetit dhe raportimin e sjelljeve joetike.
Po ashtu, Metushi-Krasniqi potencoi nevojën për përditësimin e planeve të integritetit në komunat e Kosovës, si dhe një përkushtim më të madh për pjesëmarrjen e publikut në proceset e planifikimit dhe vendimmarrjes së nivelit lokal.
“Shqetësues mbetet fakti që kemi katër komuna me rezultat minimal nën 10 pikë, të cilat, rrjedhimisht nuk japin llogari ndaj qytetarëve, si dhe ndikojnë negativisht edhe në rezultatet përmbledhëse të politikave dhe në rezultatin e përgjithshëm të Indeksit. Ndërsa, në mungesë të bordit të OSHP-së, nuk ka qenë e mundur analizimi dhe matja e katër indikatorëve që ndërlidhen me vendimet e këtij institucioni”, përfundoi ajo.
Indeksi i Transparencës në qeverisjen lokale për vitin 2021 e rendit Komunën e Prishtinës si qytetin më transparent me 82.02 pikë nga 100, në 87 treguesit e matur, pasuar nga Rahoveci me 80.97 pikë, Gjakova me 80.27 pikë, Mitrovica e Jugut me 79.52 pikë, Lipjani me 78.72 pikë, Ferizaji me 78.08 pikë, Kaçaniku me 76.22 pikë, Peja me 75.87 pikë, Drenasi me 72.10 pikë dhe Podujeva me 72.04 pikë.
Discussion about this post