Kryetari i SBAShK-ut, Rrahman Jasharaj, tha se inati i ministres së Arsimit, Arbërie Nagavci nuk po lejon që të gjendet një zgjidhje për zëvendësimin e orëve të humbura gjatë grevës. Sipas tij, edhe këtë të shtunë nuk do të ketë mësim.
Jasharaj u shpreh se kanë pritur nga ministrja Nagavci t’i ftojë në takim gjatë kësaj jave për të gjetur një zgjidhje, por nuk kanë marrë ftesë. Ai e cilësoi të dështuar mbajtjen e mësimit në disa shkolla të shtunën e kaluar duke thënë se 70% e institucioneve arsimore i janë përgjigjur thirrjet sindikale.
Në një intervistë për KosovaPress, ai tha se nëse Nagavci dëshiron të mbajë inatin ndaj SBAShK-ut, atëherë të ftojë në takim Këshillin e Prindërve.
“Të shtunën e kaluar, raportet flasin se edhe pse 70 për qind e institucioneve arsimore e kanë respektuar nenin 34, ka pasur institucione arsimore që kanë shprehur një lloj gatishmërie për të punuar, por e shtuna e kaluar jo vetëm ne, por edhe prindërit e kanë vlerësuar si të dështuar, ngase ka pasur një mungesë të jashtëzakonshme të nxënësve. Prandaj Nagavci edhe nëse dëshiron ta vazhdojë inatin dhe luftën ndaj SBAShK-ut do të ishte mirë që së paku me Këshillin e Prindërve të ulët dhe të bisedojë… E kisha lut Nagavcin që t’i lejë inatet e tekat, greva më në fund u pezullua, ne jemi në proces mësimor dhe është e udhës në përgjithësi për ta stabilizuar në përgjithësi këtë sistem mësimor”, tha Jasharaj.
Jasharaj tha se nëse zëvendësimi i orëve do t’ju ishte lënë mësimdhënësve, atëherë do të bëhej e pamundura që të realizohej planiprogrami i këtij viti shkollor, mirëpo sipas tij, qasja e Nagavcit përmes urdhrave e kërcënimeve ka irrituar edhe më shumë ata.
Ai shtoi se Nagavci është duke gabuar me qëndrimin e saj ndaj SBAShK-ut.
“Unë jam i bindur nga përvoja si mësimdhënës se po t’ua lenim mësimdhënësve në pavarësinë e tyre dhe t’i lusim që ata ta bëjnë të pamundurën që të realizojnë sa më shumë planprogramin e këtij viti arsimor, do të kishim suksese shumë më të mëdha, se sa me urdhra, me inspektorë, me kërcënime për heqje të mëditjeve, sepse kjo vetëm i irriton mësimdhënësit dhe nuk i duhet as qeverisë, MAShT-it një situatë si e shtunës së kaluar… Nagavci është duke gabuar me qëndrimin e saj, është duke vazhduar një luftë në mënyrë figurative ndaj SBAShK-ut… Asnjë vlerë nuk ka edhe po shkuan këtë të shtunë të gjithë punëtorët e arsimit, nëse nuk vijnë nxënësit, e shtuna do të shkojë kot dhe nuk do të kemi proces mësimor”, tha ai.
Mësimdhënësit të cilët nuk iu bindën SBAShK-ut dhe mbajtën mësim të shtunën e kaluar, Jasharaj thotë se mund të jenë frikësuar nga kërcënimet e qeverisë për heqje të mëditjes.
“Mund të jetë krijuar ndonjë frikë eventuale edhe për heqje mëditje sepse kjo ishte kërcenim, inspektorët kanë shkuar dhe kanë bërë lista, dhe në këtë mënyrë nuk arrihet asnjë rezultat. SBAShK-u nuk ndikon në qëndrimet e mësimdhënësve… E shtuna na doli si problem, nuk mund ta kuptoj Nagavcin se pse gjithë ky mllef ndaj SBAShK-ut”, tha ai.
Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës, pjesë e së cilës është edhe SBAShK, hyri në grevë më 25 gusht dhe e pezulloi atë më 1 tetor. Kërkesat e tyre janë 100 euro për çdo muaj deri në hyrjen ne fuqi të Ligjit për paga. Greva mund të rikthehet në janar në rast se nuk plotësohen kërkesat.
Ndërkaq MASHT-i vendosi për zëvendësim të orëve të humbura gjatë muajit shtator duke ndryshuar kalendarin shkollor, por me të s’u pajtuan as SBAShK-u, as prindërit e as komunat. Ata po refuzojnë që mësimi të zëvendësohet të shtunave, duke rekomanduar të gjenden zgjidhje tjera.