Avdullah Hoti, deputet i Lidhjes Demokratike të Kosovës, është deklaruar rreth situatës aktuale në Kosovë, për të cilën ka thënë se, kjo situatë ka ardhur për shkak se nuk i kemi marrë parasysh këshillat e aleatëve.
Kështu ka deklaruar deputeti i LDK-së në Facebook, ku ka shtuar se, Kosova ka rënë në grackën e Serbisë, dhe se kur nuk mbështetemi nga aleatët, atëherë pasojat i bartim të gjithë, shkruan lajmi.net.
Postimi i plotë:
Kur aleatët nuk na mbështesin, pasojat nuk i bartin vetëm ata në krye të institucioneve. Pasojat i bartim të gjithë.
E lexova shqetësimin e Daniel Serverit se: “Kryeministri i Kosovës e ka idenë se çfarë do dhe shpreson se ai do t’i përballojë pasojat”. Unë e ndaj shqetësimin e tij. Por problemi është se pasojat bien mbi përpjekjet tona, paqësore e luftarake, dhe rezultatet që kemi arritur deri tani në fuqizim, konsolidim e anëtarësimin e shtetit të Kosovës në mekanizmat ndërkombëtarë.
Sigurisht se na duhet konsensus nacional për veprimet që ndërmerren në përballje me situatën e krijuar. Por nuk mund dhe nuk duhet të rreshtohemi prapa atyre që nuk kanë ide si do të menaxhohet dhe përmbyllet në interesin e Kosovës kjo situatë komplekse politike dhe e sigurisë.
Sigurisht se kjo situatë ka ardhur si pasojë e ndërhyrjes së Serbisë tek komuniteti serb në Kosovë. Por kësaj radhe, për shkak se nuk i morëm parasysh këshillat e aleatëve, Kosova ka rënë në grackën e Serbisë. /