Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka thënë se Qeveria e Kosovës nuk ka ndërmarrë kurrfarë mase për luftimin e inflacionit, i cili sipas të dhënave të fundit ka shkuar në 12 për qind.
Hoti, me anë të një postimi në ‘Facebook’, ka radhitur inflacionin në përqindje produktet që kanë pësuar ngritje çmimesh sipas inflacionit, si dhe masat e shteteve të tjera për luftimin e tij.
Ai, po ashtu, ka thënë se Qeveria nuk ka ulur TVSH-në e akcizën shkaku se këtë e kishte propozuar opozita.
Postimi i plotë:
Inflacioni 12%, masat askund, qytetarët bartin pasojat
Inflacioni mesatar në dhjetor 2022 arriti në 12%, por për disa mallra dhe shërbime elementare, ku shpenzohet shumica e buxhetit familjar, arriti në:
– 47% për shpenzime të transportit;
– 39% për lëndë djegëse;
– 31% për vajra dhe yndyra;
– 28% për qumësht; djathë e vezë;
– 21% për bukë e drithëra;
– 20% për mish;
– 18% për sheqer etj.
Çfarë bënë vendet e tjera për të ulur barrën për qytetarë?
– disa i rritën pagat për normën e inflacionit,
– disa i ulën ngarkesat tatimore,
– disa i ndihmuan qytetarët pa përjashtim në përballimin e kostos së jetesës,
– në veçanti subvencionuan çmimin e gazit dhe naftës, çmimet e të cilave u rritën më së shumti dhe ndikuan në rritjen e të gjitha çmimeve të tjera.
Ndërkaq, në Kosovë masa substanciale nuk shihen askund, me përjashtim të shtesave në pensione dhe asistencë që janë të përkohshme. Tatimi në Vlerën e Shtuar (TVSH) dhe akciza nuk u ulën, jo se nuk ishte e përballueshme për buxhetin, por për shkak se ishte propozuar opozita (nga LDK-ja). Si rezultat i inflacionit, shteti inkasoi shumë më tepër të hyra, të cilat nuk i shpenzoi dhe, si rezultat, ato u zhvlerësuan së paku për 12%.
Por, pushtetarët u kujdesën për një pjesë të bizneseve – ato biznese që kanë kontrata me shtetin për investime kapitale. Kuvendi e miratoi ligjin diskriminues për punët publike, me të cilin bizneset mund të rrisin çmimin e kontratave me shtetin deri në 20% për shkak të rritjes së çmimeve të materialeve.
Sikur të uleshin ngarkesat tatimore dhe akciza në naftë, atëherë efektet do t’i ndienin të gjithë pa përjashtim. Nuk do të kishte pasur nevojë për këtë ligj diskriminues. Nuk do të ishin mbledhur mjete pa nevojë në buxhet, të cilat po zhvlerësohen. /